Lajme

Lugina e Preshevës, 30 vjet që kur shqiptarët kërkuan bashkim me Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 07:26 | 02 March 2022

Më 1 dhe 2 mars shënohet 30-vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Para tri dekadash shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

-Advertisement-

Është me rëndësi të theksohet se në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit.

Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

Nga distanca 30-vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Gjate vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni.

Më 16 shkurt 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përbërë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptarët e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Në këtë kuvend u propozuan tri opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit. Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe. U hapën 75 vendvotime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime.

Dolën mbi 46.000 votues. 98 % e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm.

Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u mor vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP-së dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbush në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe./Kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera