Luftime të ashpra në Donbas
Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 10 December 2022
Ushtria ukrainase ka raportuar për luftime të ashpra pasi forcat ruse sulmuan disa qytete në zonën Donbas, në lindje të Ukrainës, në orët e hershme të së shtunës.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për Kievin po përqendrohet në mbrojtje ajrore dhe zyrtarë të shteteve perëndimore kanë paralajmëruar se Moska ka nevojë gjithnjë e më të madhe për armatim pasi po i pakësohen rezervat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten, në adresimin e tij të përnatshëm, se trupat ushtarake të Moskës e kanë sjellë “ferrin nën flamurin rus” në vendin e tij.
Ai e cilësoi “shumë të vështirë” situatën në disa zona të Ukrainës lindore ku luftimet ishin më të ashpra, veçanërisht në Bakhmut, Soledar dhe Kremina.
Zelenskiy e quajti Bakhmutin – një qytet që numëronte rreth 70 mijë banorë para fillimit të luftës – “një tjetër qytet të Donbasit që ushtria ruse e ka shndërruar në rrënojë të djegur”.
Ai tha se ka kohë që nuk ka “hapësirë rezidenciale që nuk është dëmtuar nga sulmet me raketa”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur në Teheranin zyrtar për ta vazhduar luftën në Ukrainë, përderisa vazhdon frika nga rreziku i përshkallëzimit në një konflikt më të gjerë tani që ka nisur muaji i dhjetë i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward, tha të premten se përveç qindra dronëve iranianë që i janë dërguar Rusisë që nga gushti për “vrasjen e civilëve dhe sulmet ilegale me cak infrastrukturën civile” në Ukrainë, “Rusia tani po tenton të sigurojë armë të tjera, përfshirë këtu qindra raketa balistike”.
Woodward tha gjithashtu se Londra është “pothuajse e sigurt se Rusia po tenton të sigurojë armatim nga Koreja e Veriut [dhe] vendet e tjera të sanksionuara, përderisa rezervat e veta dukshëm po pakësohen”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në takimin e Këshillit të Sigurisë se Moska i ka mohuar disa herë sugjerimet e shteteve perëndimore se po furnizohet nga Irani.
“Kompleksi industrial ushtarak në Rusi mund të funksionojë në mënyrë të përsosur dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt, ndërsa industria ushtarake e Ukrainës në thelb as nuk ekziston dhe po ndihmohet nga industria perëndimore dhe kompanitë perëndimore”, tha ai.
Këto diskutime u zhvilluan gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë që ishte thirrur nga Rusia lidhur me armët “që po bien në duart e banditëve dhe terroristëve” në Evropë dhe përtej.
Ndërkohë, pas luftimeve në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, e përshkroi gjendjen përreth qytetit të Bakhmutit si “ferr në tokë”.
Rajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës ka qenë fokusi i luftimeve ruse që kur forcat ukrainase shënuan fitore të mëdha në zonat më perëndimore, para fillimit të dimrit me temperatura të ulëta.
Në orët e hershme të së shtunës, stafi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase i listoi tre zona në rajonin e Luhanskut dhe disa të tjera në rajonin e Donetskut ku tha se forcat ukrainase i kishin zmbrapsur sulmet e forcave ruse gjatë luftimeve të ashpra.
Mbi 20 zona banimi vetëm në Bakhmut u goditen gjatë këtyre luftimeve, sipas ushtrisë së Ukrainës.
Zyrtarët rajonalë ukrainas thanë se ushtria ruse i kishte sulmuar “masivisht” vendbanimet në Nikopol dhe Marganets në rajonin Dnipropetrovsk gjatë natës mes 9 dhe 10 dhjetorit, duke i lënë të paktën katër persona të vdekur.
Kryesuesi i administratës rajonale, Valentyn Reznychenko, i shpërndau disa fotografi të zonave të banimit që ishin bombarduar dhe tha se 11 ndërtesa ishin goditur, ndërsa ishin dëmtuar disa objekte civile, si kopshte për fëmijë.
Radio Evropa e Lirë nuk mund të vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet për fitoret, humbjet apo numrin e të vdekurve nga asnjëra palë në zonat e luftimeve të rënda.
Ushtria ukrainase tha se i kishte rrëzuar dhjetë dronë iranianë të premten në zonat Herson, Nikolayiv dhe Odesa.
Shtëpia e Bardhë e lajmëroi një tjetër pako ndihme, 275 milionë dollarëshe, për Ukrainën për t’i ndihmuar në përforcimin e mbrojtjes ajrore, veçanërisht kundër dronëve rusë.
“Ne ndihemi të përkrahur nga shtetet si dhe organizatat ndërkombëtare dhe institucionet e të drejtave të njeriut”, tha Zelensky./REL
Të tjera
-
“Një qeveri e re do të jetë rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit” – Kryetari i PDK-së i bindur për fitore
Para pak minutash ka nisur tubimi i hapjes zyrtare të fushatës elektorale ng...
-
PDK-në nuk po e zë salla “1 Tetori”
Partia Demokratike e Kosovës, pas pak minutash, do të hapë zyrtarisht fushatë...
-
PDK mbush plot sallën 1 Tetori në Prishtinë, hapet zyrtarisht fushata
Përkrahësit e Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur tashmë në sallën 1...
-
“Gati për të vazhduar raportin Francë Kosovë” – Ambasadori Guerot kthehet në Prishtinë pas takimit me Macron në Paris
Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, ka njoftuar se është nisur...
-
Kurti nis fushatën me Ferdonije Qerkezin, Zogaj: Duhet pasur karakter të fortë të mashtruesit për të bërë diçka të tillë
Analisti kosovar, Petrit Zogaj, ka komentuar një fotografi që Kurit e ka publ...
-
“Po punohet cep më cep” – Durmishi bën fushatë edhe me pastrimin e rrugëve nga bora
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka shfrytëzuar pastrimin ...
-
KQZ funksionalizon platformën online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e ...
-
Jeta Rafuna – Gruaja më e votuar e LDK-së në Komunën e Prishtinës, i hyn garës për deputete me numrin 45
Shefja e Grupit të Asambleistëve të LDK-së në komunën e Prishtinës, Jeta Rafu...
-
Aksioni i Policisë së Kosovës në Ferizaj, arrestohet një person, kapen rreth 20 mijë euro ‘cash’
Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore–Ferizaj, më 10.01.202...
-
Daut Haradinaj dhe Engjëll Koliqi kritikojnë Qeverinë Kurti për injorim të Vitisë
Dy kandidatët për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradin...
-
Vuçiq thotë se Azerbajxhani ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz
Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz për shkak të disa pro...
-
Kryetari Rama: Reshjet pa ndërprerjne po e vështirësojnë situatën, mirëpo ekipet përgjegjëse janë angazhuar intenzivisht
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhua...