Opinione

Lufta ndaj të padrejtës u përket njerëzve fisnikë

Autori: Gazeta inFokus 19:59 | 11 March 2019

Nuk e tha rastësisht Pllumi që lufta ndaj të padrejtës nuk mbaron kurrë. Sigurisht që mbas rënies së një pushteti korruptiv, ekziston rreziku potencial që të korruptohet edhe pushteti i ri. Por, masa e syçelë dhe me mendje të hapur e shtyn të mendojë mirë pushtetin e ri, kushdo qofshin, që ndal se duhet përgjegjësi në qeverisje se ndryshe masa revoltohet.

Shkruan: Betim Kelmendi

 

-Advertisement-

Po, lufta ndaj të padrejtës dhe ndaj sistemit korruptiv, është monopol i një grupi njerëzish të emancipuar, qytetëruar dhe të edukuar.

 

Për fat të keq, na nuk jemi të tillë. Por, sidoqoftë…

 

Për ironi të fatit, sot, tek sa shkrova këtë shkrim, kuptova se po e shkruaj në një datë të njëjtë me revoltën e studentëve që protestuan aso kohe kundër regjimit jugosllav në vitin 1981 dhe merreni me mend, po sot, ambasadori britanik Conell, i cili në një tryezë, paskërka thënë: lufta ndaj korrupsionit nuk ekziston, deri kur mendoni se do t’ju përkrahë bota?

 

Kam përshtypjen se ambasadori britanik e ka kuptuar shpërfytyrimin total të miletit, duke qëndruar tërësisht indiferent ndaj çdo gjëje, përfshi këtu më themeloren: dhunimin në të gjitha format të politikanëve.

 

Eh, nejse, rastësi e lezetshme.

 

Zef Pllumi, i burgosur në burgjet famkeqe të sistemit komunist në Shqipëri, la shënimet e tij në librin e famshëm “Rrno për më tregue”. Nëpërmjet këtij libri, Zefi Pllumi, i tregoi dynjasë për torturat e sistemit komunist në Shqipëri.

 

Duke e përcjellë një intervistë të tij, në një moment, e tha një gjë që më bëri shumë përshtypje – sigurisht për të mirë – dhe ma forcoi edhe më tepër bindjen se Zef Pllumi ishte një person, përveç të tjerash, fisnik dhe bujar, e besa fort trim.

 

Ai theksoi që ndonëse u rrëzua përfundimisht sistemi komunist, lufta për të drejtën nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbarojë për sa të jetë jeta. Ai shtoi se gjithmonë do të ketë padrejtësi dhe tendenca të grupeve të caktuar që do ta kenë synim shtypjen e njeriut, por se njeriu i edukuar e i shkolluar duhet të jetë syçelë gjithë kohës dhe ta luftojë të padrejtën.

 

Martin Luther King, siç shumica e dini, ishte aktivist dhe udhëheqës i shquar i Lëvizjes së të Drejtave Civile afrikano-amerikane.

 

Ai, në vendin më përparimtar në botë, në një moment, u revoltua, doli e tha se kam një ëndërr.

 

Ëndërr kjo që, në thelb përmbante një revoltë ndaj të padrejtës, racizmit dhe shtypjes së shtetit amerikan, aso kohe, ndaj personave me ngjyrë.

 

Ndërkohë që te ne, kur bëhet fjalë për shtypjen, për referencë, gjithmonë marrim sistemin jugosllav, sikur ai ishte një sistem që për synim kishte shtypjen e shqiptarëve në hapësirat jugosllave.

 

Dhe po, kështu ka ndodhur në fakt.

 

Megjithëse, herë pas here, mendoj dhe them shyqyr që misioni për t’u shpërbërë Jugosllavia ishte mision i nisur nga të tjerët dhe meqë qëlluam dhe ne, e patëm fatin të çliroheshim nga shtypja.

 

Se për që do të nisin revolucion shqiptarët ndonjëherë, Jugosllavia do të ishte në këmbë e veta sot e kësaj dite.

 

Sidoqoftë, u bë mirë ajo që ndodhi dhe më në fund “u çliruam” nga çizmet e okupatorit.

 

Por, po i referohem prapë Zef Pllumit, i cili ka thënë se lufta për të padrejtën nuk mbaron kurrë.

 

Pra, për rrjedhojë, ne u çliruam nga, siç e thashë okupatori, por filloi shtypja nga tanët.

 

Etja për pushtet e grupeve të caktuara duke mos pas në konsideratë asgjë prej gjëje, shkelën me të gjitha mjetet – sigurisht më të sofistikuara se okupatorët – moralin e miletit.

 

Dhe, si për sherr, mileti si një fëmijë i vogël që e nxë gjumi nën tingujt e zërit të nënës, e nxëri gjumi nga politika.

 

Shtypjen e këtyre “heronjve të luftës e të pasluftës” e shohim, e prekim, e ndjejmë dhe e nuhasim çdo ditë. Reagim? Nuk ka. Dhe, druhem se, zor se do të ketë ndonjëherë.

 

Një reagim, përkatësisht revoltë siç e do rendi, jo. Dhe në një shoqëri, deri sa s’ka një revoltë të thuktë, e cila ka një mision në vetvete, pra luftën ndaj të padrejtës, nuk do të ketë hair kurrë.

 

Siç edhe nuk po ka në fakt.

 

Qytetarët, ankohen pothuajse çdo ditë për gjendjen e rëndë në sektorin privat dhe për çudi të zotit, reagim nuk ka.

 

Qytetarët ankohen çdo ditë për çdo gjë, dhe, po për çudi të zotit, reagim nuk ka.

 

Në të tilla raste, natyrshëm lind pyetja: e kane seriozisht këta në ankesat e tyre apo ankohen veç hajt sa për të thënë?

 

Një njeri i edukuar mirë, një njeri me moral, përveç ankesave, shpreh edhe revoltën në mënyra nga më të ndryshmet.

 

Reagime apo ankesa, duke mos pasur as një fije revoltë, s’janë ankesa por thjesht piskama koti që, sa për t’u shfryrë.

 

Kafsha, lëshon reagimet e saj sa për t’u shfryrë herë pas herë, në mungesë të ushqimit, por njeriu, jo gjithfarë njeriu, por siç e thashë njeriu i edukuar, presupozohet që të revoltohet ndaj të padrejtës e jo të bërtet për të padrejtën sepse, britmën, shpesh herë e merr era.

 

Kur shoh neglizhencën totale të popullit ndaj personave që  kanë dhe njihen me konotacion negativë, më bën përshtypje, për të keq sigurisht.

 

Deri kur më? Deri kur? Deri kur? Tri herë pyeta…

 

Sikur të pyes edhe treqind herë, përgjigja do të jetë, po supozoj në bazë të asaj se ç’shoh: «vallai kështu jemi mësu, s’dijmë ndryshe».

 

Po po, mirë mirë, s’dinë ndryshe. Dhe meqë s’dinë ndryshe, atëherë mos u anko.

 

Populli, përveç që karakterizohet si neglizhent ndaj të padrejtës, karakterizohet edhe me hipokrizi.

 

Në kuptimin që, në këtë katrahurë që po jetojmë, po doli dikush që vërtet ka një mision për ndryshim, respektivisht revoltë, hidhen gurë – metaforikisht – ndaj tij/saj sikur ky, ka për qëllim ardhjen në pushtet e jo ndryshimin.

 

Por normal, normal që e ka për synim pushtetin. Le ta ketë, ç’të keqe ka?

 

Sigurisht, populli i mirëmenduar s’do të duhej ta shohë tragjik këtë fenomen. Mjafton të rrijë syhapur që, edhe ky, pushteti i ri, të jetë më i përgjegjshëm në qeverisje, e jo totalisht të papërgjegjshëm, siç ishin në të kaluarën.

 

Nuk e tha rastësisht Pllumi që lufta ndaj të padrejtës nuk mbaron kurrë. Sigurisht që, mbas rënies së një pushteti korruptiv, ekziston rreziku potencial që të korruptohet edhe pushteti i ri. Por, masa e syçelë dhe me mendje të hapur e shtyn të mendojë mirë pushtetin e ri, kushdo qofshin, që ndal se duhet përgjegjësi në qeverisje se ndryshe masa revoltohet.

 

Kur vdiq Martin Lutter King nuk vdiq edhe lufta për të padrejtën. Ajo vazhdoi dhe vazhdon sot e kësaj dite.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera