Uncategorized

Lufta kundër ndryshimeve klimatike: Evropa e ndihmon Zhuhain të përballojë zemërimin e natyrës

Autori: Gazeta inFokus 11:10 | 11 November 2021

Qyteti bregdetar është një vend i njohur turistik dhe ka ndërtuar mbrojtjen e vet për t’u bërë ballë fatkeqësive të natyrës, duke qenë në gjendje të mbajë në minimum dëmet e shkaktuara nga tajfunet e verës dhe të mëkëmbet shpejt.

Përgjatë vijës bregdetare në Zhuhai janë krijuar grumbuj shkëmbinjsh dhe parqe të bukura plazhi. Shkëmbinjtë janë grumbulluar për të thyer valët e janë përhapur përgjatë vijës bregdetare për të krijuar atë që quhet “qytet i qëndrueshëm”, që mund t’u rezistojë tajfunëve e goditjeve të tjera.

Sipas She Nian, drejtoreshë e Institutit të Ndërtimit dhe Planifikimit të Qytetit Inteligjent “Sfungjer” në Qendrën e Inovacionit të Universitetit Tsinghua në Zhuhai, përmbytjet vijnë kryesisht nga stuhitë, kështu që qyteti vendosi shkëmbinj përgjatë vijës bregdetare, që gjithashtu mund të krijojnë një mikrohabitat.

-Advertisement-

Koncepti i përdorimit të natyrës, në vend të ndërtimit të infrastrukturës gri, për të zgjidhur problemet e qytetit, quhet “zgjidhje të bazuara në natyrë”. Ai u zhvillua për herë të parë në vitet ‘80 të shekullit të kaluar në Evropë dhe u paraqit në Zhuhai përmes një platforme të quajtur “Lidhja e qyteteve ekologjike Europë-Kinë” ose EC LINK, e cila synon të sjellë përvojat evropiane në betejën kundër ndryshimeve klimatike në Kinë dhe të arrijë një shoqëri me karbon të ulët. Në këtë ide bazohet edhe krijimi i plazheve dhe kopshteve në breg të detit.

Zëvendësmenaxherja e përgjithshme e Operacioneve të Zhvillimit të Zonës Portuale Xiangzhou, e cila është kompania përgjegjëse për rimbushjen me rërë të disa pjesëve të qytetit, He Le, tha: “Bregu i Zhuhait nuk kishte plazh apo rërë. Ishte vetëm gurë dhe baltë. Peizazhi i bukur u krijua i tëri falë rimbushjes me rërë. Dhe plazhi mund të shërbejë gjithashtu si një zonë tampon për të pakësuar energjinë e fortë të valëve në ditët me stuhi.”

Ajo thotë se plazhet janë vetëm një pjesë e një sërë masash: “Korsitë e trafikut janë pak më të larta se plazhet dhe lagjet e banimit janë në nivel më të lartë. Së bashku ato përbëjnë tre vijat e mbrojtjes për t’iu përgjigjur niveleve të ndryshme të stuhive dhe tajfuneve.”

Ekspertët thonë se ky bashkëpunim me Evropën për ndërtimin e një qyteti të qëndrueshëm ka qenë efektiv.

“EC-LINK i dha Zhuhait një koncept krejtësisht të ri për zhvillimin e tij. Por nga koncepti te zbatimi, ka një hendek. Por për fat, ne po ia dalim mbanë e po krijojmë gjithashtu risi,” tha She Nian.

Ajo thekson se bashkëpunimi gjithashtu ka rritur ndërgjegjësimin për parandalimin e rreziqeve të ardhshme natyrore dhe se kjo është ajo që ka më shumë rëndësi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera