Lajme

Lufta është kthyer sërish si kërcënim real në Ballkan

Autori: Gazeta inFokus 08:26 | 25 November 2021

Gërvalla në takimin e Kartës së Adriatikut: Lufta është kthyer sërish si kërcënim real në Ballkan.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore me theks të veçantë në proceset euroatlantike në rajon si dhe për bashkëpunimin në kuadër të kësaj karte.

Në vijim gjeni fjalën e plotë të ministres Gërvalla në këtë takim:

-Advertisement-

Faleminderit shumë për ftesën, i nderuar Gordan. Më lejoni t’ju përgëzoj edhe një herë për organizimin e shkëlqyeshëm të këtij takimi.

Përfaqësuesve institucional dhe kolegëve nga Maqedonia e Veriut dua tu shpreh në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës dhimbjen tonë të thellë për humbjen tragjike të aq shumë jetëve në aksidentin e rëndë, i cili na ka shokuar të gjithëve. Një tragjedi të këtillë e kemi përjetuar edhe ne në Kosovë në aksidentin me autobus që ndodhi në Kroaci dhe nuk do t’i harrojmë asnjëherë pamjet në spital, por as ndihmën e miqve tanë kroatë në atë aksident. Ju lutemi, na tregoni si mund t’ju ndihmojmë, sado ndihmë e madhe a e vogël qoftë.
Nuk do të jetë e papritur për ju që qeveria jonë e re e Republikës së Kosovës dëshiron t’i bashkohej A5-shit si anëtare e plotë. Ne mendojmë se njerëzit tanë, 90% e të cilëve, në një studim të kohëve të fundit të realizuar në mbarë rajonin, janë deklaruar që e mbështesin BE-në dhe NATO-n , mund të japin kontribut të dobishëm për sigurinë brenda këtij grupi të shquar dhe të palëkundur të vendeve pro perëndimore.

Të nderuar kolegë,
më lejoni të flas drejtpërdrejt, pasi sa i përket sigurisë ndodhemi ndërkohë në një pikë shumë të vështirë. Më kujton situatën para 20 vitesh. Edhe atëherë paralajmëronim që lufta do të ishte e pashmangshme, por askush nuk na merrte seriozisht. Sot përsëri po të përballemi rrezikun e një konflikti.

Prandaj duhet të jemi shumë të qartë – mes nesh, evropianëve të vërtetë, këtu në rajon, dhe me partnerët tanë të fuqishëm evropianë, dhe mbi të gjitha me aleatët tanë amerikanë.

Injorimi i realitetit asnjëherë nuk është zgjidhje e mirë. Nuk ka qenë një zgjidhje e mirë as në vitet e 1990-ta dhe do të ishte një zgjedhje e rrezikshme edhe tani.

Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë.

Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë.

Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë.

Duhen të merren hapa të guximshëm ndaj atyre që po nxisin destabilizimin e vendeve fqinje këtu në rajon, si Serbia dhe Rusia, pjesërisht Kina, për ta zbutur këtë rrezik të madh.

Është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë: lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.

Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviçi.

Asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd.

Duhet t’i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiçit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë.

Ministri aktual Vulin, i cili ka qenë zëdhënës i kriminelit të luftës, Millosheviçit, po e thotë edhe publikisht se duan të krijojnë atë që ata e quajnë Bota Serbe. Z. Vulin tha në muajin korrik që Serbia nuk duhet të heqë dorë nga “bashkimi dhe unifikimi”, që do të thotë të mos heqë dorë nga Serbia e Madhe. Ai tha se ushtria serbe duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë serbët, kudo që jetojnë. Gjoja se demokracitë tona nuk po i mbrokan qytetarët, qofshin ata janë serbë, boshnjakë, shqiptarë, hebrenj, egjiptianë apo të tjerë.

Të mos e mashtrojmë më veten. Le të ulemi bashkë dhe të flasim rreth fakteve. Le të analizojmë vërtet se çfarë po ndodh në terren. Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për bisedime diplomatike. Le të bisedojmë si evropianë të vërtetë, NATO dhe SHBA me qëllim të evitimit të asaj që mund të ndodhë nëse nuk veprojmë siç duhet dhe me vendosmëri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera