Opinione

Lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja e NATO-s janë procese komplementare në aktin përfundimtar të çlirimit të Kosovës

Autori: Valon Murati 19:38 | 12 June 2020

Sa herë kemi përvjetorin e çlirimit të Kosovës ndizet një debat artificial se kush është meritor për lirinë e saj: ne apo të huajt, UÇK apo NATO? Unë jam i bindur se çdo analizë objektive e jep vetëm një përgjigje: shqiptarët e pushtuar nga Serbia dhe më pas Jugosllavia, prej vitit 1912 asnjëherë nuk i ndalën përpjekjet për liri. Herë me rezistencë paqësore, herë me kryengritje të armatosur. Herë me organizime ilegale, herë me ato legale. Në këto dekada të gjata pushtimi i kemi shfrytëzuar edhe hapësirat e krijuara herë pas herë për emancipim shoqëror, kulturor e zhvillim ekonomik. Ama asnjëherë nuk u dorëzuam dhe mbetëm shqiptarë duke i rezistuar të gjitha përpjekjet për dëbim, nënshtrim e asimilim. Kjo rezistencë kulmoi me kryengritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe reagimin e egër të pushtetit shovinist serb kundër kërkesave tona për liri përmes shkeljes së të gjitha rregullave të luftës e duke bërë krime kundër njerëzimit. Kjo rezistencë e pandalshme për gati 86 vite si dhe krimet e masakrat e pushtetit të Millosheviqit na krijoi mundësitë që edhe të bëjmë aleatë fuqitë më të mëdha të botës demokratike, të cilat në fund ndërhynë në funksion të lirisë së Kosovë. Kjo liri u kurorëzua më vonë me pavarësinë e vendit. Kështu që përgjigja në këtë dilemë është se liria e Kosovës në procesin e gjatë historik është meritë e popullit shqiptar, ndërsa akti i çlirimit është produkt i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, ndërhyrje e cila përfundimisht dëboi forcat e pushtuesit serb prej Kosovës. Në këtë drejtim unë këto dy procese nuk i shoh kontradiktore, por i shoh komplementare. Mos të krijojmë debat artificial, duke bartur mbi supe inate e kaprice të vjetra politike, e hatër-mbetje për ndodhitë e pasluftës, por këtë ditë bashkërisht të nderojmë të rënët tonë në luftën për liri dhe të nderojmë aleatët tanë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë e të tjerët të cilët në momentet vendimtare ishin përkrah Kosovës dhe popullit shqiptar.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera