Lajme

‘Lufta dhe paqja’ e Pacollit me PAN-in

Autori: Gazeta inFokus 08:30 | 05 September 2017

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, edhe zyrtarisht dje ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje me koalicionin PAN. Nga kjo marrëveshje Pacolli do të përfitojë jo më pak se pesë ministri dhe shtatë zëvendësministra.

Mirëpo, jo shumë kohë më parë lideri i AKR-së për gjendjen e tmerrshme ekonomike në vend, për korrupsionin e lartë dhe për keqmenaxhimin e vendit e mbante përgjegjëse pikërisht PDK-në.

Si rrjedhojë ai lidhi marrëveshje parazgjedhore me LDK-në, duke e quajtur “Koalicion të shpresës”, transmeton zeri.info.

-Advertisement-

 

Atëbotë Pacolli kishte premtuar se me LDK-në do të anëtarësonin Kosovën edhe në organizatat ndërkombëtare si: OKB, UNESCO, etj.

Madje, në bashkëqeverisje me LDK-në Pacolli kishte thënë se do të sjellin edhe liberalizimin e vizave.

Kurse tensionimi kishte arritur kulmin kur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kishte thënë se Pacolli ishte kërcënuar dhe ishte shantazhuar për vendimin e tij që t’i bashkohet LDK-së.

“Behgjet Pacolli nuk u zmbraps të bëjë koalicion, pavarësisht kërcënimeve”, kishte thënë Mustafa në tubimin e hapjes së fushatës zgjedhore në Prishtinë.

Tani pas shumë kritikave që kishte drejtuar për keqqeverisje gjendjen e rëndë ekonomike dhe kërcënimeve që kishte marrë, lideri i AKR-së ka bërë paqe me ata të cilët për muaj me radhë ishte në “luftë”, transmeton zeri.info.

Humbja e zgjedhjeve dhe zbutja e Pacollit

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit koalicioni LAA kishte fituar 25 për qind të votave, duke dalë blloku i tretë politik në vend. Meqenëse as blloqet tjera nuk kishin fituar mjaftueshëm për të qeverisur me vendin, nisi bllokada politike e cila zgjati rreth tre muaj.

Pacolli me këtë rast kishte akuzuar PAN-in për shkelje të Kushtetutës së vendit, duke zvarritur krijimin e institucioneve. Me kalimin e kohës Pacolli nisi të dalë me idetë e tij larg qëndrimit të LDK-së.

Së pari ai propozoi qeveri gjithëpërfshirëse për të mirën e vendit. Meqenëse plani i tij nuk u realizua dhe duke parë zhvillimet e njëpasnjëshme, ai  së fundmi doli edhe me një ultimatum ndaj “Vetëvendosjes” dhe LDK-së. Me kalimin e këtij afati Pacolli dje shkoi në takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, për t’i treguar edhe zyrtarisht se nga dje nuk do të kenë më bashkëpunim me ta, transmeton zeri.info.

“Z. Mustafa është një mik imi, një njeri i drejtë që e respektoj shumë. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë me z. Mustafën. Tash rrugët tona ndahen, ne kemi pak deputetë, tentojmë ta krijojmë një grup parlamentar dhe të funksionojmë në Parlament si të pavarur”, deklaroi ai pas takimit.

Nuk kaluan as orë nga shkëputja e marrëveshjes me LDK-në dhe AKR-ja i është bashkuar koalicionit PAN. “Ky koalicion është për qytetarin, të rinjtë e Kosovës, shtetndërtimin dhe për daljen nga kriza institucionale. Ky është interesi kryesor”, ka thënë Pacolli. “Jam i bindur që tani me këtë koalicion ne do t’i shtyjmë proceset përpara dhe do të kemi hapësirë të punojmë dhe do të ketë harmoni me kryeministrin Haradinaj”, është shprehur kreu i AKR-së.

Paçarizi: Nuk kam pritur ndonjë konsistencë nga Pacolli

Pavarësisht deklaratave të liderit të AKR-së se do t’i qëndrojë besnik LDK-së, profesori universitar Rrahman Pacarizi ka thënë se nuk ka pritur konsistencë nga ai.

“Çështja do kundruar nga dy plane: E para, nuk kam pritur ndonjë konsistencë nga zotëri Pacolli, pasi një gjë të tillë nuk e ka dëshmuar as më parë. Zotëri Pacolli nuk ka shfaqur asnjëherë interesim për vrapim në shtigje të gjata, pasi kalimi i pragut dhe të qenit pjesë e Parlamentit i mjafton, pasi kjo e bën pjesë të kombinatorikave qeveritare, lojë që e ka luajtur mirë deri më tash”, ka thënë Paçarizi, transmeton zeri.info.

Kurse, si pikë të dytë Paçarizi ka përmendur edhe ultimatumin që Pacolli ua kishte dhënë LDK-së dhe “Vetëvendosjes”.

“Pacolli kësaj radhe ka pritur LDK-në dhe LVV-në ta dëshmojnë përkushtimin e tyre për ndërtimin e Qeverisë nga ajo që kemi quajtur opozitë”, ka thënë Paçarizi.

Më tej ai ka thënë se ka qenë për t’u habitur mosinteresimi i LVV-së dhe i LDK-së për ta bërë Qeverinë dhe me këtë rast ka ardhur edhe deri te veprimi konkret i Pacollit.

“Pacolli ka marrë një veprim zhbllokues që mendoj se është për t’u përshëndetur, por jo edhe heroik siç do të paraqitet. Tani Pacolli nuk ka pritje të mëdha nga zgjedhjet lokale dhe për të ky ka qenë veprimi më i mençur momentalisht”, ka përfunduar ai.

Maliqi: AKR-ja, parti e interesave të Pacollit

Njohësi i çështjeve politike në vend, Agon Maliqi, ka thënë se AKR-ja në përgjithësi ka qenë parti e interesave personale të Behgjet Pacollit.

“AKR-ja si parti përgjithësisht ka qenë projekt personal i zotëri Pacollit dhe i interesave të tij. Muajt e fundit e kthyen AKR-në në mall të rrallë për të cilin Pacolli me gjasë po e kërkonte çmimin më të lartë në pazar”, ka thënë Maliqi. Më tej ai ka shtuar se në këtë drejtim AKR-ja mund të shihet si fituese në afat të shkurtër.

“AKR-ja mund të shihet si fituese në afat të shkurtër, pasi dyshoj se kanë marrë pak pushtet. Por nuk dihet se si ky hap do të përkthehet në afat të mesëm dhe të gjatë për z. Pacollin dhe për AKR-në, meqë votat i kanë marrë në ‘kampin tjetër’”, ka thënë ai. Në fund ai ka thënë se kjo Qeveri nuk jep shumë shpresë për qëndrueshmëri dhe koherencë. “Sidoqoftë, shumica që mund të krijohet, duke marrë parasysh numrin e partive të përfshira dhe të apetiteve, duke përfshirë edhe teket e Listës Serbe, nuk jep shumë besim në Qeveri të qëndrueshme dhe koherente”, ka përfunduar ai. /Zeri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera