Lajme

LSI fton Bashën dhe Idrizin: Të bashkohemi kundër Ramës

Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 12 July 2017

Qeveria ‘Rama 2’ duket se do të përballet me një opozitë të fortë. Lëvizja Socialiste për Integrim, vetëm dy javë pas humbjes së zgjedhjeve, kërkon bashkëpunim me Partinë Demokratike dhe PDIU kundër Partisë Socialiste, me të cilën qeverisi katër vite dhe si për ironi vijon ende të qeverisë.

LSI nuk e fsheh synimin për krijimin e një koalicioni me të gjithë faktorët politikë opozitar kundër socialistëve në pushtet. Kryetarja e re e LSI-së znj. Monika Kryemadhi, në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, kërkoi krijimin e një fronti kombëtar opozitar kundër Partisë Socialiste, të cilës shqiptarët i besuan qeverisjen e vendit.

Ideja për krijimin e një fronti opozitar nga zonja Kryemadhi, pa dallime ideologjike, është një ftesë e qartë për Partinë Demokratike dhe PDIU, për t’u bashkuar kundër Edi Ramës.

-Advertisement-

Duke i konsideruar zgjedhjet të manipuluar, Kryemadhi tha se bashkimi është i domosdoshëm pasi sipas saj fatet e demokracisë janë më në udhëkryq se asnjëherë tjetër.

“Fatet e demokracisë janë më në udhëkryq se asnjëherë tjetër, dhe kjo kërkon krijimin e një froni kombëtar opozitar, pa dallime ideologjike pasi themeli i demokracisë, vota e lirë, është goditur rëndë në mënyrë të strukturuar kriminale dhe epidemike në të gjithë vendin.

Ndaj kërkoj nga të gjithë ju angazhimin tuaj maksimal dhe të gjithë anëtarëve të LSI-së dhe mbështetëseve të saj për t’u përgjigjur këtij momenti dhe përgjegjësisë politike më të madhe që LSI ka pasur ndonjëherë. Do të vazhdojmë me evidentimin e farsës së 25 qershorit, me fakte dhe dokumente të shumta të manipulimit, të dhunës policore dhe bandave kriminale, që shkaktuan deformimin e rëndë të votës së shqiptarëve në këto 25 vjet”, tha Kryemadhi.

Po gjatë ditës së djeshme, Kryemadhi ka mbështetur pretendimet e PDIU për mandatin në Tiranë, ndërsa Lulzim Basha ka shprehur pendesë për marrëveshjen me Ramën.

Bashkëpunimi
Në kuadër të ftesës, Kryemadhi tha se LSI do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët politikë.

“Kjo detyrë tashmë do të mbetet një prioritet pasi opinioni minutë pas minute po njihet me fakte të reja dhe tronditëse të grabitjes dhe të tjetërsimit të votës së zgjedhjeve të 25 qershorit. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët politik dhe qytetar për përmbushjen e këtij misioni. Kjo është edhe një nga detyrat kryesore që ne do të kemi deri në procesin e fundit dhe gjithashtu do të vazhdojmë edhe me hartimin e axhendës dhe planit të punës deri në periudhën e fillimit të legjislaturës së re parlamentare”, nënvizoi Monika Kryemadhi.

Opozitë e fortë
Kryemadhi theksoi gjithashtu se LSI do të rivendosë sovranitetin e institucioneve të cenuara rëndë nga zgjedhjet, përpara dhe pas 25 qershorit pasi demokracia në vend sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë më të fuqishme se asnjëherë tjetër.

“Si kryetare e LSI-së duke shprehur edhe një herë falënderimin për besimin dhe përkrahjen që më dhatë për të qenë në krye të LSI-së, dua t’ju falënderoj edhe juve si bashkëpunëtor dhe të gjithë kryesinë aktuale dhe të gjitha forumet e LSI-së në të gjithë vendin për kontributin që kanë dhënë për rritjen e pandalshme të forcës tonë politike. Dua t’ju siguroj se së bashku, LSI do të vazhdojë të njoh arritje të reja politike dhe elektorale si domosdoshmëri që demokracia në Shqipëri të fuqizohet dhe qytetarët shqiptar të rivendosin sa më parë të jetë e mundur sovranitetin mbi qeverisjen dhe institucionet të cenuara rëndë nga zgjedhjet, përpara dhe pas 25 qershorit. Kushtet e reja më imponuan që të pranoj ketë përgjegjësi, e shqetësuar jo vetëm për fatin e LSI-së, por për demokracinë në vend e cila sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozite më të fuqishme se asnjëherë tjetër, sepse mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit është një mazhorancë fiktive përmes një procesi të deformuar dhe të manipuluar”, tha kryetarja e LSI-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera