Opinione

Loja me afatet kushtetuese për emërimin e mandatarit

Autori: Visar Kastrati 09:17 | 08 January 2020

Loja me afatet për emërimin e mandatarit paraqet, fillimisht, një tendencë për të treguar pushtet mbi njëri tjetrin. Në njërën anë Presidenti i Republikës duke e luajtur një rol kinse unifikues për të relaksuar spektrin politik, ndërsa në anën tjetër fituesi i zgjedhjeve në pamundësi të arritjes së marrëveshjes politike me LDK-në, duke polemizuar përmes videove dhe servilëve të tij me komente në rrjetet sociale, duke kontestuar një afat për emërim të mandatarit.

Kjo situatë politike, e cila tashmë ka filluar të bartet gradualisht në betejë ligjore-kushtetuese dhe bartës i të cilës do të jetë presidenti i republikës, do të krijon një situatë të pavolitshme për qytetarët e vendit dhe vonesa të pa justifikueshme.

Presidenti i nxituar për të treguar një rol kinse unifikues dhe për zgjidhje të situatës, ndërsa në prapavijë duke mallkuar një koalicion me Kryeministër Albin Kurtin, jep një afat për emërimin e mandatarit përmes statusit në facebook prej 48 orëve, për partinë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, i cili afat nga vetë mënyra e caktimit dhe vendit të publikimit është jo serioz dhe i pa përfillshëm, pasi i njëjti afat ose çdo afat tjetër do të duhej të dërgohej me letër zyrtare në selinë e Vetëvendosjes dhe jo të proklamohet përmes rrjeteve sociale.

-Advertisement-

Në reagim të këtij afati, menjëherë Lëvizja Vetëvendosje, përmes servilëve të vetë, e konteston dhe lenë të kuptohet që nuk pranon asnjë afat për emërimin e mandatarit dhe se atë afat e caktojnë vetë, përkatësisht me partnerin e mundshëm për koalicion, duke treguar një injorancë dhe një mungesë të përvojës në politikë.

Në të dy anët vërehet se ka filluar një luftë, ndërmjet kryeministrit të vetë shpallur si dhe presidentit të republikës, të cilët janë rivalët më të urryer politik ndër vite. Presidenti me gjasë përmbyllë karrierën politike, ndërsa kandidati për kryeministër  vetëm sa ka filluar t’i afrohet pozitave të larta publike. Ndërkaq, në sfond të kësaj drame qëndrojnë partitë e tjera, duke tentuar të përfitojnë nga situatat e pa lakmueshme politike dhe sidomos LDK, e cila taktizon në këto situata, pasi udhëhiqet nga një shkollë dhe mendësi e vjetër politike.

Nëse shikohet aspekti kushtetues i emërimit të mandatarit për qeveri, pa dyshim formulimi i dispozitave të nenit 95 të Kushtetutës së Republikë së Kosovës, lenë të kuptohet që ka një afat për caktimin e mandatarit dhe kjo çështje nuk mund të lihet në vullnetin e partisë politike, pasi ajo nënkupton një kohë të pa caktuar për emërimin e mandatarit, e cila do t’i shkaktonte vendit pasoja të mëdha politike dhe ekonomike. Do të ishte no-sens që mandatari të propozohet dhe vet të caktohet nga partia apo koalicioni fitues. Kjo do ta minimizonte rolin e presidentit dhe do ti jepte kompetenca partive politike për bllokada politike në formimin  e institucioneve, andaj ka logjik që presidenti duhet të ketë kompetencë dhe diskrecion në emërimin e mandatarit sipas propozimit dhe vendosjen e afateve kushtetuese për emërim, për të mos lejuar degradimi e situatës politike në vend, duke marr për bazë edhe rolin e tij dhe kompetencat për siguri kombëtare.

Neni 95, paragrafi (2) i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parasheh, citoj ‘’Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.’’, ndërsa në paragrafin (4), parasheh, citoj ‘’Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.’’ Në analizë të këtyre dy paragrafëve, vërehet qartë që në frymën e kushtetutës është caktuar një afat për emërimin e mandatarit edhe pse jo decidivisht i përmendur. Në paragrafin dy është paraparë afati jo më vonë se 15 ditë, ku paraqitet përbërja e qeverisë nga mandatari për votim në kuvend, ndërsa në paragrafin katër është paraparë afati prej 10 ditësh për emërimin e mandatarit tjetër për formimin e qeverisë. Pra, neni 95 ka të caktuar afate dhe i jep diskrecion presidentit në afatet për emërimin e mandatarit sipas propozimit të partisë fituese, duke u mbështetur edhe në vendimin e famshëm të gjykatës kushtetuese. Konsideroj se Presidenti duhet të jep një afat prej 15 ditësh përmes shkresës zyrtare kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për caktimin e mandatarit dhe jo më vonë se 15 ditë nga emërimi i mandatarit, ta legjitimoj qeverinë përmes kuvendit dhe nëse kjo dështon atëherë presidenti do të duhej që partisë së dytë fituese, përkatësisht LDK-së, në afatet e njëjta ligjore t’i kërkoj të paraqes mandatarin dhe legjitimimin përmes Kuvendit dhe nëse dështon, kuptohet duhet shpallur zgjedhjet. Duhet të kihet parasysh që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, rolin e presidentit të vendit, e pozicionin në një rol unifikues, që do të thotë në thelb ka për obligim të krijojë kushte për formimin e qeverisë dhe zhbllokimin e situatës politike, pra ka një rol mbikëqyrës në formimin e institucioneve, të paktën ashtu nënkuptohet dhe përcaktohet me vendimin e gjykatës kushtetuese, sado që vendimi është i kontestueshëm dhe skandaloz.

Nuk ka asnjë logjikë ligjore dhe politike, të mos caktohet një afat për emërimin e mandatarit dhe po ashtu nuk ka asnjë logjikë që dy (2) herë t’i jepet partisë fituese mandatari. Vlen të theksohet thënia e Albert Antashtajn: mos e provo eksperimentin e njëjtë se nuk jep rezultate.

Në mungesë të një marrëveshje politike të fituesit me partinë tjetër, përkatësisht VV-LDK, kjo situatë politike do të bartet në një rast tjetër në gjykatën kushtetuese, i hapur nga deputetët, e cila pa dyshim që përgjigjën duhet ta ketë sikurse në paragrafin më lartë, ndërsa vonesat e mundshme në formimin e qeverisë do të shkojnë deri në qershor 2020, nëse nuk ka reagim dhe ndërhyrje në proces nga ndërkombëtarët. Ndërsa në rast se vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja, ka shumë mundësi që i tërë viti të shkoj pa krijimin e qeverisë së re.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera