Lajme

“Loja” e Srpskas me votat për boshnjakët cilësohet antikushtetuese: Të kontestohet përmes ligjit

Autori: Gazeta inFokus 13:35 | 20 February 2021

Strategjia e Listës Serbe për të vënë në kontrollë komunitetet tjera përmes deputetëve të tyre është në kundështim me kushtetutën, vlerëson Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, andaj si e tillë duhet të kontestohet përmes rrugëve ligjore. Një skenar tjetër që qarkullon tash e sa kohë është ajo e futjes së pjesëtarëve të komunitetit serb nëpër listat e partive shqiptare për të marrë votat e mjaftueshme për 10 ulëset e rezervuara për këtë komunitet. Megjithatë Ehat Miftaraj nga IKD thotë se kjo do të ishte gabim pasi do ta dëmtonte Kosovën në raport me zotimin ndërkombëtar për një shtet demokratik të bazuar në respektimin e vlerave multietnike.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë kërkuar që ambasadat e QUINT’it të reagojnë për lojën e ndyrë që Lista Serbe ka bërë në zgjedhje duke mundësuar mbledhjen e votave të serbëve për partitë e komunitetit boshnjak dhe rom deputetët e të cilëve do të mund t’i kontrollojë në Kuvend.

Ky veprim i Listës Serbe po shihet si antikushtetutes dhe si i tillë, Miftaraj thotë se duhet të kontestohet përmes procedurave ligjore.

-Advertisement-

“Veprimet e Listes Serbe në bashkëpunim me kandidatë për deputetë nga komuniteti boshnjak dhe rom, bie në kundërshtim me vlerat dhe garancat kushtetuese lidhur me përfaqësimin e interesave të popullit boshnjak dhe rom që jetojnë në Kosovë. Deklarata e Pavarësisë në mënyrë taksative ka përcaktuar si vlera të mbrojtura përfaqësimin e komuniteve jo shumicë në Kosovë nga përfaqësues legjitim dhe assesi nga përfaqësues që përmes mënyrave jo demokratike devijojnë vullnetin e komunitetit boshnjak dhe rom. Kjo qasje është kundërkushtetuese dhe si e tillë e papranueshme. Andaj edhe duhet që kjo qasje të kontestohet përmes rrugeve dhe procedurave ligjore”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

Miftaraj tutje tha se deputetët e këtyre komuniteteve që janë zgjedhur me ndihmën e Listës Serbe kanë filluar shantazhet për qeverinë që do të formohet.

“Aq më tepër përmes kësaj forme tanimë kanë filluar edhe shantazhet publike nga këta persona për perfshirje në qeveri duke bërë kërkesa që mund të destabilizojnë vetqeverisjen lokale në Kosovë”, tha Miftaraj për Express

Ai poashtu vlerëson faktin se komunitetet tjera si ai turk mund të humbin pozitën e ministrit si pasojë e rritjes artificiale të votave për komunitetin boshnjak.

“Përmes kësaj forme parti të caktuara përmes votave të siguruara nga lista serbe dëmtojnë edhe komunitetin tjeter jo shumicë në Kosovë si ai turk të cilët mund të humbin pozitën e ministrit në qeverinë e ardhshme për shkak të rritjes artificiale te votave për komunitetin boshnjak në rastin konkret”, tha ai.

Megjithatë Miftaraj thotë se skenari që partitë shqiptare të fusin në lista pjesëtarët e komunitetit serb për të siguruar 10 ulëset e rezervuara dhe për ta hequr nga loja Listën Serbe do ta dëmtonte rëndë kredibilitetin e Kosovës.

“Partitë politike shqiptare nuk duhet dhe nuk mund të bëjnë gabime të tilla, pasi do të dëmtonin rëndë kredibilitëtin e Republikës në raport me zotimin ndërkkmbëtar për një Kosovë demokratike të bazuara në respektimin e vlerave multietnike, fetare etj”, tha Miftaraj.

Ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ‘lojën’ e Listës Serbe ka paralajmëruar edhe Duda Balje, e cila nuk ka arritur të futet në Kuvend si rezultat i një makinacioni të tillë, ku qytetarë serb kanë votuar kandidatët e partive boshnjake.

Balje dje ka deklaruar se Lista Serbe ka tentuar që t’i marrë 3 vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak, derisa ka arritur t’i marrë vetëm dy, duke i dhënë vota Adriana Hoxhiqit.

Për këtë çështje Hoxhiq e Balje janë përplasur keq edhe në emisionin Frontal të T7.

Partia Komuniteti i Bashkuar UZ-AH i Adrijana Hoxhiq, Iniciativa Rome(RI) e Gazmend Salijeviq nga Graçanica dhe Partia Unike e Goranëve e Adem Hoxhës do të kenë nga një deputet në Parlament në të cilët do të llogarisë Lista Serbe.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera