Opinione

Loja e KQZ-së dhe ngecja e zhvillimit ekonomik

Autori: Lulzim A. Beqiri 19:39 | 11 November 2019

Republika e Kosovës me 6 tetor shkoi në zgjedhje të parakohshme si rezultat i dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj, në mungesë të një konsensusi brenda koalicionit qeverisës dhe ftesës nga Gjykata Speciale.

Mirëpo kanë kaluar me shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve e që ende Kuvendi nuk ka arritur të mblidhet si rezultat i mos certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, kjo fal ankesave të subjekteve politike, dhe lojës së PZAP-së me Gjykatën Supreme lidhur me ankesat e palëve.

Republika e Kosovës gjendet në një situatë kritike sa i përket zhvillimit ekonomik dhe uljes së papunësisë, Kosovën e presin shumë procese siç janë: Kosova e re, PTK-ja, Ligji i Pagave, Autostrada e Dukagjinit, Tarifa ndaj Serbisë, Sektori Privat, Paga Minimale, Sigurimet Shëndetësore, Ndërmarrjet Publike, Trepça, Papunësia, Korrupsioni, Nepotizmi….

-Advertisement-

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës papunësia sillet rreth 30%, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme që monitorojnë punësimin papunësia arrin deri në 40%, prandaj kemi edhe dëshira nga kosovarët të ikin nga ky vend, për një jetë më të mirë, përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë e që besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jo logjike, konkurrenca jo lojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë.

Kriza aktuale institucionale vetëm e ka vulosur dështimin ekonomik të Kosovës, do të duhen vite derisa të kthehet besimi i investitorëve të huaj dhe atyre vendas, pasi ata siç dihet e kanë humbur besimin edhe për shkak të jostabilitetit politik. Kontribuuesit kryesor në këtë situatë janë politikanët e Kosovës, sado që kemi ligje në harmoni me ligjet ma të zbatueshme në Bashkimin Evropian, për ne nuk vlejnë, përderisa politikanët shtyhen për interesa të tyre partiake, ekonomia e Kosovës është tashmë e dështuar. Në njërën anë është Serbia ajo që po lobon fuqishëm me të gjithë arsenalin e vet për ta paraqitur pavarësinë e Kosovës si të dështuar, e në anën tjetër politikanët tanë pa kurrfarë fytyre janë duke fundosur ekonominë me veprimet e tyre të papërgjegjshme.

Kosova tashmë ka humbur shumë hapa në zhvillimin ekonomik dhe se ngecjet e tilla do të kenë pasoja afatgjate në ekonomi, mendoj se krijimi i një qeverie stabile është ndër kushtet kryesore për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve.
Stabiliteti politik është një faktor esencial për normalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm eko-nomik të çdo vendi.

Lufta e fundit në Kosovë bart me vete edhe një sërë transformimesh në rrafshin politik dhe ekonomik.

Me përfundimin e luftës, fokusimi i udhëheqjes kosovare u shtri në hartimin e strategjive për “një shtet të ri” para së gjithash politik. Ky fokusim, për legj¬i¬t¬i¬m¬itet ndërkombëtar karshi Kosovës, duke u konsideruar primar dhe çelës për fushat tjera të zhvillimit të vendit, mori energjinë më të madhe të përkushtimit.

Madje Kosova si “rast politik” (dhe vetëm politik) është ende shumë aktual. Kosova është ende e pranishme në mediat botërore. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mediat ndërkombëtare janë duke e përcjellë betejën diplomatike (mes udhëheqjes kosovare dhe asaj serbe).

Kjo dërgon një imazh të jost¬a¬b¬ilitetit tek investitorët e huaj. Edhe pse deri më sot, Kosova është njohur me mbi 100 shtete, duke përfshirë 22 Shtete Anëtare të BE-së, megjithatë refuzimi i pjesës tjetër i vendeve anëtare për ta njohur Republikën e Kosovës po e pengon zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Hartimi i projekteve dhe strategjive duke normalizuar raportet me shtetet që tashmë njohin shtetësinë e Kosovës dhe duke ndjekur ecurinë e njohjeve tjera Kosova mund të normalizojë edhe fun¬k¬sionimin ekonomik të vendit.

Kosovën e presin shumë sfida në procesin e zhvillimit ekonomik, andaj duhet me hapa të shpejt të formohet qeveria e re për t’i dal ballë kërkesave të qytetarëve për një jetë më të mirë, sektori privat është buzë greminës, sektori privat duhet të jetë top prioritet i qeverisë së re, kostoja e pagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat.

Ky ndikim mund ta rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund ta vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik.

Agjencia e Statistikave e Republikës së Kosovë e publikoi nivelin e pagës mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve nga viti 2012 deri në viti 2016. Sipas këtyre të dhënave, sektori privat mbetet me i diskriminuari ndër sektorët në Kosovë.

Në vitin 2012 paga neto mesatare në sektorin privat ishte 333 euro dhe për 5 vite kishte një rritje prej vetëm 0.80 euro cent në vit, gjë që nuk do koment: ky sektor ka mbetur në mëshirën e fatit. Vetëm në vitin 2017 në sektorin privat jetën e kanë humbur në vendin e punës mbi 17 punëtorë, pa gëzuar as edhe ndihmën elementare nga shteti.

Vendimi i fundit i PZAP-së për rinumërim të rreth 1500 vendvotimeve minon edhe më shumë formimin e qeverisë se re duke vë në rrezik edhe miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2020, andaj treni i fundit për zhvillim ekonomik është qeveria e re, sovrani ka vendos për ndërrim të pushtetit duke mbështet opozitën dhe ndëshkua pushtetin i cili është shquar për korrupsion, nepotizëm dhe defekte tjera të pariparueshme.

Republika e Kosovës në asistencë sociale ka qindra mijëra qytetarë, sipas ASK-së në vitin 2015 janë 107,451 qytetarë që marrin asistencë nga shteti ose mbi 25 mijë familje, në vitin 2016 ndihmën e shtetit e kanë pranuar 26,302 familje dhe në vitin 2017 rreth 106,628 qytetar kanë përfituar nga skemat sociale nga Qeveria e Kosovës, pra duhet formim sa më shpejt i qeverisë për t’i dhënë drejtim zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Prandaj rekomandimi ynë është formimi sa ma i shpejt i qeverisë se re me udhëheqës opozitën sepse kjo ishte edhe dëshira dhe vullneti i sovranit, siç dihet fituese e zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës që sipas përllogaritjeve kanë shumicën e mjaftueshme për formim të qeverisë, nuk duhet humb edhe një minutë sepse pritja për ndryshim ka sjell demoralizim të paparë.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera