Lajme

Lluka kërkon përkrahje për ‘Kosovën e Re’, nga Korea Jugore e Japonia

Autori: Gazeta inFokus 17:27 | 12 December 2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka nisur një vizitë 3 ditore në Korenë Jugore dhe Japoni.

Sipas tij, vizita ka për qëllim kryesor përkrahjen e projektit të Termocentralit Kosova e Re si dhe bashkëpunimin në mes të vendeve në fushën e menaxhimit të ujërave dhe mbeturinave.

“Vizituam një ndër komplekset më të mëdha të termocentraleve në Kore të menaxhuar nga kjo ndërmarrje. Ky kompleks, I cili përbëhej nga 10 termocentrale, me rreth 6500 MË kapacitete të instaluara, kishte teknologji të avancuar që i plotësonin të gjitha kriteret e mundura të emitimeve të lejuara, duke dëshmuar që edhe termocentrali që do të ndërtohet në Kosovë, nuk do të jetë ndotës për ambientin tone”, shkroi Lluka.

-Advertisement-

Gjatë vizitës në Kore, Lluka tha se u prit nga Presidenti i Agjencisë Shtetërore të Mjedisit, z. Jang Joon Yeong, Agjencia e Mjedisit të Koresë Jugore është një agjenci përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave, ujërave, cilësisë së ajrit, dhe gjenerimit të energjisë nga mbeturinat.

Qëllimi i takimit ishte përkrahja institucionale në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, me fokus në kthimin e mbeturinave në energji të ripërtishme, pa ndotje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Koresë Jugore, janë në prag të krijimit të mardhënieve diplomatike, që është e një rëndësie të madhe për vendin, konsideruar që ekonomia koreane është një super ekonomi botërore, me një brutoprodukt vendor prej rreth 35,000 dollarë për kokë banori”, përfundoi Lluka.

Kujtojmë se Banka Botërore dhe institucionet përcjellëse të saj kishin dalë kundër ndërtimit të një termocentralit të tretë në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera