Lladrovci – Thaçit: Nuk po të spiunoj te shërbimet e huaja
Autori: Gazeta inFokus
17:17 | 11 October 2017
Ramiz Lladrovci ia kishte shkruar tri letra Hashim Thaçi, në vitin 2003. Me anë të këtyre letrave kërkonte të takohej me Thaçin për t’ia dëshmuar se “nuk po bashkëpunonte me shërbime të huaja” kundër kryetarit të atëhershëm të PDK-së.
Lladrovci, kryetar i Drenasit dhe kandidat i PDK-së për këtë komunë, i ankohej Thaçit se shumë prej drejtuesve të UÇK-së e shihnin atë si spiun të shërbimeve të huaja. Mes tjerash përmendte vrasjen e Beadin Allaqit, një nga drejtuesit e UÇK-së në vrasjen e të cilit implikohet Hashim Thaçi në këtë letër.
Insajderi ka siguruar këto tri letra të cilat Naim Bazaj i ka cilësuar si shantazhuese.
Kryetari i Kuvendit të Drenasit, Naim Bazaj, ka thënë të mërkurën për Indeksonline se me këto letra Lladrovci ka siguruar pozitën e ambasadorit dhe atë të kandidatit të PDK-së për kryetar komune.
“Zoti Hashim, kohët e fundit jam ndeshur shpeshherë, për të mos thënë përditë, me fjalë të ndryshme që synojnë denigrimin e figurës sime dhe njëkohësisht familjes sime. Këto gjëra më kanë indinjuar, për më tepër, sepse ato po bëhen dhe po përhapen nga shokë ose ish-shokë të mi, nga disa pa dashje, kur është fjala për shokët; dhe nga disa me dashje, mendoj unë, kur është fjala për ish-shokët”, shkruan në letrën e parë.
“Po ju drejtohem krejt sinqerisht dhe nuk dua të keqkuptohem ose të mendosh se ka hile nga ana ime. Të kam kërkuar edhe takim të drejtpërdrejtë, por nuk është bërë i mundur deri tani, megjithëse keni pasur mundësi”, shkruan Lladrovci.
Ai ankohet në letrën e parë se Lulëzim Jashari – djali i komandantit Adem Jashari, Nuredin Lushtaku, Sylejman Selimi dhe Rexhep Selimi, e kanë akuzuar se po bashkëpunon me shërbime të huaja për ta denoncuar Thaçin për përfshirje në vepra penale, siç është vrasja e Beadin Allaqit.
“Jam akuzuar se, duke bashkëpunuar me të huajt, shërbimet e huaja, po bëj çka është e mundur të ju akuzoj ose denoncoj për rastin… Kjo më është thënë edhe nga Rexhë Selimi, pra ka filluar të bëhet fjalë, pa e ditur unë asnjëherë dhe pa folur me mua”, shkruan në këtë letër në të cilën emri i Beadin Allaqit është i fshirë me të zezë.
Insajderi mëson se bëhet fjalë për Beadin Allaqin.
Lladrovci i thotë Thaçit se nuk janë të vërteta pohimet se ai po bashkëpunon me shërbime të huaja për ta implikuar atë në këto krime.
“Nuk është e nevojshme të siguroj se nuk kam asnjë lidhje me asnjë, theksoj, me asnjë shërbim të huaj, po ashtu nuk e shoh të nevojshme të të siguroj se kurrë nuk ka folur për shokët e mi. Kjo është akuzë e rëndë, të cilën nuk e mbaj dhe nga e keni ju këtë informacion. Sepse duke qenë informacion I rremë, pra gënjeshtër fund e majë, ajo ose ka lidhje me keqtrajtimin e figurës suaj, ose me paradënimin e figurës sime, që për mua është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër”, shkruan Lladrovci.
Me anë të letrës së parë ai e pyet Thaçin se nga është informuar se po bashkëpunon me shërbime të huaja, informacione këto që, sipas Thaçit, mund të sjellin pasoja të dyanshme.
“Pra nga e keni ju këtë informacion, sepse ky informacion duke u përhapur, mund të sjellë pasoja të dyanshme; për ju të besohet se kështu ka qenë, pra se ka diçka të vërtetë, dhe për mua se flas për shokët, spiunoj, ose shpifi, çka mund të jetë fillesë edhe për eleminimin tim”, shkruan Lladrovci.
“Ti e di mirë, sepse më njeh mirë se nuk kam frikë, por nuk e shoh të nevojshme të krijohen konflikte që mund të zgjasin shumë. Unë e di se akoma ka njerëz që duan të njollosin figurën e Fehmi Llarovcit dhe tash, kur ai nuk është më, kërkojnë ta bëjnë përmes figurës sime”, thotë Lladrovci në këtë letër.
Kryetari i Drenasit i thotë Thaçit se po flitet se është pasuruar shpejt, se ka pasuri edhe prona, se ka abuzuar me fonde dhe ka shtëpi dhe toka në Prishtinë.
“Për herë të parë këtë e kam dëgjuar nga Bedri Islami, i cili më ka pyetur direkt se përse po flitet se jam bërë i pasur dhe nëse është e vërtetë, duke më thënë se këtë vërejtje e ke edhe nga Hashim Thaçi. Baci Bedri më ka thënë atëherë, para dy viteve, se Hashimi është mërzitur në ty, pra në mua, sepse jam bërë I pasur shpejt”, shkruan Lladrovci.
“Tash po flitet se kam ndërtuar edhe shtëpi në Prishtinë, etj etj. Të gjitha këto nuk janë të sakta. Unë mund të ballafaqohem me gjithsecilin për atë pjesë të fondit që kam administruar, shënimet janë të përpikta, sepse kemi qenë dy vetë, unë e Halili që ti e njeh po ashtu mirë për ndershmërinë e tij dhe në këtë rast akuzohet edhe ai”, ankohet më tej Lladrovci.
Kryetari i Drenasit i thotë Thaçit se kohëve të fundit ai dhe familja e tij kanë pasur kërcënime nga grupe të ndryshme të cilat i njeh se kush janë. Lladrovci thotë se pas luftës emri i tij ishte përmendur për disa pozita udhëheqëse, por nuk e kuptonte se pse Thaçi po i largohej.
“Unë kam qenë në TMK dhe kur kam hyrë në TMK i keni thënë Agim Çekut se përse jam aktivizuar aty (mos të them se e keni sharë). Besoj është paradoks, mirëpo edhe sot, megjithëse kemi ndejtë bashkë disa herë, nuk e kemi fol këtë gjë. Mos ndoshta ata që ishin në TMK ishin burra më të mirë se unë. Sidoqoftë, qëndrimi im në TMK, për aq sa ishte e mundur i shërbej Abazit e shokëve të tij”, shkruante Lladrovci. Ai i ankohej Thaçit se përse asnjëherë nuk e kishte dërguar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin. Madje, nuk ua kishte dërguar asnjë buçet lulesh.
Lladrovci thotë se Thaçi i kishte propozuar të shkonte në AAK-në e Ramush Haradinajt. Kërkonte sqarime se si dhe pse për të dytën herë ndodhej në listën e zezë të presidentit amerikan, George Bush.
“… Kur dy herë, pa të drejtë, krejt pa të drejtë, u gjenda në listën e Bushit, sidomos herën e dytë, nuk më është afruar dora e ndihmës prej teje”, i ankohej Lladrovci, Thaçit.
“Unë, për vete, jam i gatshëm, kurdoherë. Do të ishte mirë që edhe ju të gjeni kohën e duhur. Ramiz Lladrovci, 19 gusht 2003”, shkruan në letër.
Por, Thaçi nuk i ishte përgjigjur.
Për këtë arsye, Lladrovci ia kishte dërguar edhe dy letra tjera me anë të të cilave kërkonte takim. Në letrën e tretë ai thoshte se i kishte dërguar porosi për takim nëpërmjet Jakup Krasniqit. As kësaj here Thaçi nuk e kishte takuar Lladrovcin.
“Ju kam dërguar dy letra me ftesën për t’u takuar, sepse fjalët e përhapura janë shqetësim për mua. Më keni premtuar se do të takoheshim, por deri tash nuk është bërë asgjë. Me anën e Jakup Krasniqit ju kam dërguar tri herë fjalë se duhet të takohemi, ju kam telefonuar, kam lënë porosi që të ju thonë se ju kam kërkuar, e përsëri nuk kam përgjigje”, ankohej Lladrovci, në letrën e 17 tetorit 2003.
Në letrën e tretë, Lladrovci përmendte Lulëzim Jasharin e Nuredin Lushtakun si përhapës të fjalëve se po e spiunonte tek shërbimet e huaja.
“Jam takuar disa herë kohët e fundit me Lulzim Jasharin, Nuredin Lushtakun dhe vetëm tash më thanë se në një takim që ke pas me ta ke ngritë disa dyshime për mua, të cilat jo vetëm që nuk shkojnë për shtatin tim, por as që janë menduar ndonjëherë prej meje. Jam shqetësuar, sepse pas takimit tuaj me Lulin dhe Nurën ne jemi takuar dy herë bashkë dhe nuk më keni thanë asgjë. Jam i bindur se jeni keq i informuar dhe se as vetë nuk e besoni atë që e keni thënë”, shkruante Lladrovci.
“Nga që më njihni mirë duhet ta dini më mirë se të tjerët, se as në natyrën time, as në karakterin tim e të familjes sime, nuk është ajo për të cilën po përflitem. Nuk e di qëllimin e kësaj përfolje, dhe për t’i prerë rrugë mosmarrëveshjeve të tjera, do të ishte mirë të takohemi, shoqërisht për të hequr keqkuptimet dhe për të ndaluar fjalët”, shkruan Lladrovci në letrën e tretë.
Insajderi ka kontaktuar protagonistët e këtyre letrave. Kryetari i Këshillit të Nismës, Jakup Krasniqi ka konfirmuar se aso kohe kishte qenë ndërmjetës i Lladrovcit për takim me Thaçin.
“Përmes meje Ramizi ka kërkuar vetëm të takohet me Thaçin. Tjetër ndërmjetësim nuk ka pasur”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.
Ramiz Lladrovci nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.
“Çka do që ju e shihni të udhës, publikojeni dhe fare nuk dua të inkuadrohem as të paragjykoj as me koment as me supozime. Por, kërkoj nga Ju, të respektoni kodin gazetaresk dhe mos merrni qëndrime nga paragjykimet ndaj meje. Unë jam në fushatë dhe kërkoj ta respektoni objektivitetin. Ndryshe, do të ndërmarrë veprime që mbrojnë personalitetin tim”, ka thënë Lladrovci.
Ndërkaq Bazaj nuk u është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të Insajderit.

T� tjera
-
SHSKUK: Katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas “evidentimit të parregul...
-
Në mesin e të arrestuarve për dr*ogë edhe ish- Ministri Astrit Haraqija, avokati: U intervistua për kontrabandim të narkotikëve
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndalua...
-
Qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës në kryeqytet...
-
Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, 4 të arrestuar në Francë
Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën f...
-
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja
Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë ...
-
Abonime të fshehta, reklama mashtruese: BE-ja vepron
Kurthe abonimesh, taktika mashtruese të shitjes, funksione që i nxisin përdor...
-
Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër t...
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...
-
Janina Ymeri: Qytetarët në komunat me shumicë shqiptare paguajnë deri në 22% më shtrenjtë rrymën sesa ata në veri
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësi...
-
Parashikimi i frikshëm i ‘babait të inteligjencës artificiale: IA mund të dalë jashtë kontrollit të krijuesve në tre vitet e ardhshme
Fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “babai i inteligjencës a...
-
Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan
Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabu...
-
U raportua i zhdukur në Ferizaj, 31-vjeçari gjendet shëndosh e mirë në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është arritur që të...































