Sport

Liverpuli dhe Reali për kualifikimin, Napoli shpreson ndaj Shakhtarit

Autori: Gazeta inFokus 10:18 | 21 November 2017

Katër skuadrave të kualifikuara: Paris SG, Bayern Munich, Manchester City dhe Tottenham Hotspur do t’u shtohen sigurisht edhe shumë të tjera, pasi këtë mesjavë rikthehen Kupat e Evropës dhe natyrisht dy ditët e para si zakonisht rezervojnë pikërisht ndeshjet e Champions League.

Këtë herë do të luhen takimet e raundit të pestë të fazës së parë dhe radhën për të zbritur fillimisht në fushë e kanë Grupet E, F, G dhe H. Dueli më interesant luhet në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, ku Sevilja dhe Liverpuli do të ndeshen ndërmjet tyre, në një takim përcaktues jo vetëm për cështjen e kualifikimit por gjithashtu edhe për fatin e vendit të parë të Grupit E. Dy muaj më parë ekipi andaluzian ishte vërtet tepër me fat që doli me një pikë nga Stadiumi “Anfield”, sidoqoftë, “të kuqtë”, që nga ajo kohë, kanë ndryshuar shumë dhe tani falë dy fitoreve radhazi me Mariborin miqtë kryesojnë krupin, ndonëse me vetëm një pikë më tepër se skuadra e Berizzo-s, për më tepër në Merseyside nuk e kanë harruar akoma disfatën e Bazelit, ku një vit e gjysmë më parë Liverpuli u mund 3-1 në finalen e madhe të Europa League-s, ndërkaq në takimin tjetër klubi i Spartakut është i dënuar për të marrë patjetër 3 pikët në Moskë ndaj kampionëve në fuqi të Sllovenisë, për të mbajtur të gjalla shpresat e kualifikimit. Në Grupin F luhet një tjetër takim interesant, teksa Napoli do të presë në “San Paolo” Shakhtarin, gjithsesi “të kaltërit” janë të detyruar për të marrë 3 pikët, pasi në shtator në Donetsk klubi ukrainas fitoi ndeshjen hapëse me shifrat 2-1. Ndonëse diferenca ndërmjet dy klubeve është 6 pikë, kryesuesit e Serisë A ushqejnë ende shpresa për kualifikim. Gjithsesi, në këtë grup City ka mundësinë për të çimentuar vendin e parë, teksa pret në “Etihad” Feyenoord-in. Kualifikimin e ka siguruar gjithashtu edhe ekipi i Beshiktashit, sidoqoftë në Stamboll “shqiponjave të zeza” iu mjafton thjesht një barazim ndaj “dragonjve” të Portos për të garantuar vendin e parë në Grupin G, rezultat që nuk iu intereson aspak dy skuadrave të tjera, Monaco dhe Leipzig, pasi në Principatë dy klubeve që mbyllin klasifikimin iu nevojitet patjetër fitorja. Në Grupin H gjithçka duket e zgjidhur, pasi Tottenham Hotspur tashmë është mes 16 skuadrave më të mira, ndërsa Reali i Madridit ka rastin për të garantuar kalimin në fazën e “knock out”-it, teksa do të ndeshet në Nicosia me APOEL-in. Një mundësi e shkëlqyer për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave, Cristiano Ronaldo, për të shtuar kuotën 6 të golave që ka aktualisht, ndërsa në takimin tjetër Borusia në krizë do të bëjë cmos për të vënë sadopak në vend krenarinë, teksa do të përballet në Westfali pikërisht me “gjelat” e Londrës.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera