Lajme

Listat e partive për zgjedhjet e 9 shkurtit, këta janë kandidatët që i kanë në dhjetëshen e parë

Autori: Gazeta inFokus 10:07 | 12 December 2024

Subjektet politike më 11 dhjetor (e mërkurë) bënë publike listat e tyre zgjedhore me 110 kandidatë.

Edhe pse afati parashihej të përfundonte dje në ora 16:00, u shty për deri në ora 00:00. Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ishte e fundit që dorëzoi listën në KQZ. Pak minuta pas përfundimit të afatit, kjo listë u bë publike.

Bartës i listës është kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti.

-Advertisement-

Me numër dy në këtë listë është emri i kryeparlamentarit aktual, Glauk Konjufca. E treta në listë është kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla Schwarz, e pasuar nga Avni Dehari, babai i aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Në dhjetëshen e parë janë edhe emrat e ministrave, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Faton Peci.

Në dhjetëshen e parë të VV-së është edhe emri i shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, kryetares së Altertativa, Mimoza Kusari-Lila.

Në numrin dhjetë është gruaja e Rexhep Selimit i cili po gjykohet në Hagë, Shqipe Mhemeti Selimi, e cila mban numrin që bashkëshorti i saj e ka mbajtur, për shkak të nofkës së tij në luftë “Dhjetëshi”.

Në listë nuk figuron emri i zëvendësit të Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi dhe as ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Bislimi  shpërndau listën e përbërë me emra të tjerë, ndërsa Aliu nuk pati ndonjë reagim.

Listës së PDK-së i prin Bedri Hamza,  i cili është edhe kandidatë për kryeministër nga kjo parti.

Lista pasohet nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Në top dhjetëshe të PDK-së janë Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA,  deputeti Enver Hoxhaj,  Bernard Nikaj, ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Abelard Tahiri – shefi i grupit parlementar të PDK-së, deputetje Eliza Hoxha, Uran Ismaili, Rrahman Rama e Sala Jashari.

Lista me emrat e kandidatëve për deputetë është bërë publike edhe nga LDK.

Lista e prirë nga Lumir Abdixhiku që mbart edhe numrin një, vazhdon me atë të Kujtim Shalës e më pas të Doarsa Kica-Xhelilit.

Numrin katërt në listë e mbart Lutfi Haziri, ndërsa të pestin Gazmend Muhaxheri. E gjashta e kësaj liste për kandidatë për deputetë radhitet deputetja Hykmete Bajrami, ndërsa i shtati është Imri Ahmeti.

Sokol Haliti, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Anton Quni janë treshja e fundit e kësaj dhjetëshe.

LDK-ja la jashtë një prej emrave emrave më të njohur të partisë, deputetin aktual Agim Veliun. Meqenëse LDK ishte partia që qysh ditë më parë kishte bërë publike listën me emrat e kandidatëve për deputetë, Veliu kishte reaguar pasi u la jashtë. “Vendimi është marrë nga ata që aksidentalisht janë në krye të partisë”, kishte thënë ai.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu gjatë ditës nxorën zyrtarisht 110 kandidatët e tyre.

AAK-ja në koalicion me Nisma-n e me një numër tjetër partish të vogla, nisi me bartësin e listës, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Time Kadrijajn, Ardian Gjinin, Nuredin lushatkun, Bekë Berishën, Besnik Tahirin, Albana Bytyqin, Pal Lekajn e Xhevahire Izmakun.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për certifikim në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike. Sipas KQZ-së prej tyre janë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera