Lajme

Lista Serbe ankohet te UNMIK-u e OKB-ja për “represionin e regjimit” të Kurtit

Autori: Gazeta inFokus 17:14 | 13 May 2023

Zyrtarë të Listës Serbe janë takuar sot me përfaqësues të UNMIK-ut, të cilëve, sipas njoftimit të këtij subjekti politik, u janë ankuar për “represionin e regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve”, veçanërisht në veri të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, thuhet se në takim është folur edhe për “rrezikun real që lëvizjet e njëanshme të Prishtinës dhe hyrja e dhunshme në ndërtesat e komunave serbe në veri të Kosovës do të rrezikojnë paqen”.

Ata u takuan me nënsekretarin e OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse Jean-Pierre Lacroix, kreun e UNMIK-ut Caroline Ziadeh dhe shefin e zyrës rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz.

-Advertisement-

Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan veçanërisht se “populli serb është i vendosur për paqen dhe dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura”.

“Është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare të ruajë atë paqe dhe të parandalojë lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, por ne jemi të vendosur të mbrojmë të drejtën për të mbijetuar dhe qëndruar në vatrat tona së bashku me bashkatdhetarët tanë”, tha Lista Serbe në njoftimin publik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera