Lajme

Lirohet nga akuza biznesmeni nga Shqipëria i akuzuar në rastin “Brezovica 1”

Autori: Gazeta inFokus 16:23 | 14 August 2024

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka liruar nga akuza biznesmenin nga Shqipëria, Gentjan Sula, cili akuzohej në rastin “Brezovica 1”.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi i akuzuari Sula është liruar nga të gjitha pikët e aktakuzës, pasi që gjykata nuk ka arritur të provoi se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

-Advertisement-

Ndërkaq, shpenzimet e procedurës së këtij gjykimi bien në barrë të kësaj gjykate.

Ndryshe, i akuzuari Gentjan Sula është gjykuar në gjykim të ndarë nga të tjerët pasi që kryetari i trupit gjykues Ilir Bytyqi më 6 shtator 2023 kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit është veçuar procedura ndaj tij, i cili akuzohet se ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica” në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, për çka ngarkohej me veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Gjykatësi Ilir Bytyqi, më 16 gusht 2023 kishte njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se mbrojtësi i të akuzuarit Sula, avokati Editon Osmani, i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të mbahet seancë virtuale për shkak të gjendjes shëndetësore të të njëjtit, dhe duke iu referuar dispozitës 281 paragrafit 3, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Andaj, KGjK kishte marrë vendim në bazë të së cilit ka lejuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale, në çështjen penale PKR.nr.160/2020, në Gjykatën Themelore Ferizaj.

Sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohej se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disakatësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera