Lajme

Lirohen nga akuza për korrupsion tre ish-zyrtarët e KRU “Prishtina” dhe pronari i “KWE”

Autori: Gazeta inFokus 12:05 | 25 November 2022

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar nga akuza tre ish-zyrtarët e KRU “Prishtina”, Selatin Retkoceri, Remzi Llumnica dhe Sabri Maliqi, si dhe pronarin e “KWE” Fidan Pacolli, të cilët akuzoheshin për korrupsion.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten në Departamentin e Krimeve të Rënda nga kryetari i trupi gjykues Kushtrim Shyti, i cili tha se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shyti ka thënë se shpenzimet bien në barrë të gjykatës, kurse pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil.

-Advertisement-

I njëjti njoftoi palët se do ta pranojnë aktgjykimin e detajuar brenda afatit prej 30 ditësh, kurse palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditë pas pranimit të të njëjtit.

Sipas aktakuzës të ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2019, Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Retkoceri akuzohej se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, bashkë me të pandehurin Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës të njëjtit duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë “Cahani” SHPK, t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Tutje, aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë “Cahani” SHPK, për bartjen e 250 paneleve të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9 mijë e 999 euro.

Ndërsa, Remzi Llumnica thuhet se kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9 mijë e 997 euro e 55 centë, e cila pastaj është kundërshtuar nga menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KRU “Prishtina”.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës, Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina”, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mes të KRU “Prishtina” dhe operatorit ekonomik “Kosova Ëater & Energy”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015 faturat në sasi të përgjithshme prej 1 mijë e 350 copë gjysmë lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 centë për copë, janë paguar me çmim të gjysmë lidhëse 3/4 të mesingut apo metalike me çmim 2.39 centë për copë, me ç‘rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KWE rreth 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.

Në vazhdim thuhet se i pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KWE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KRU “Prishtina”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në aëtë shumë, me ç’rast i është bërë pagesa nga KRU “Prishtina”, duke i sjellë kështu kompanisë KE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera