Lajme

Lirimi i të dyshuarit për shkaktimin e aksidentit ku u shua një familje, flet avokati Jashari

Autori: Samire Jaha 15:46 | 28 September 2021

I dyshuari për shkaktimin e aksidentit të 6 qershorit të këtij viti, ku si pasojë u shua një familje në fshatin Koshare të Ferizajt, është liruar në arrest shtëpiak nga Gjykata Themelore e Ferizaj, shkruan Gazeta Infokus.

Në lidhje me rastin që fajtori është liruar në arrest shtëpiak avokati, Arbër Jashari e cilëson si të rregullt pasi që ndërprerja e paraburgimit nuk cilësohet si fundi i procesit.

Ai në një prononcim për Gazetën Infokus tha se paraburgimi nuk është masë ndëshkuese, por është një masë e përkohshme që ka për qëllim sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.

-Advertisement-

“Paraburgimi, sikur edhe masat tjera, shqiptohen nga gjykata, sa herë qe kjo e fundit konsideron se ekzistojnë arsyet ligjore. Caktimi apo ndërprerja e paraburgimit, nuk e prejudikon fundin e procesit, gjegjësisht atë se a është një person fajtor apo jo”, tha Jashari për Infokus-in.

Një ditë pas aksidentit dhe pas ceremonisë së varrimit është  realizuar edhe falja e gjaqeve ndërmjet dy familjeve.

Në informacionet e mëparshme thuhet se falja e gjaqeve është bërë dhe se sa ditë kanë mbajtur të pame familja e viktimave kanë mbajtur edhe ajo e fajtorit.

Ndërsa, sa i përket faljes së gjaqeve që familjet kanë bërë ndërmjet veti, Jashari nuk sheh asgjë të keqe në këtë çështje.

“Nuk ka kurrfarë të keqe, që familjet të merren vesh ndërmjet vete dhe të pajtohen, konform traditave zakonore , por ajo që është e rëndësishme për gjykatën, është që të vejë drejtësi, për viktimat”, tha ai.

Pavarësisht se kjo gjë nuk ka kurrfarë të keqe, ai prapë e cilëson si të padrejtë.

“Tek e fundit, askush nuk ka të drejtë që të ‘fal’ diçka në emër të dikujt tjetër, pavarësisht se viktimën mund ta ketë  prind, fëmijë apo diçka tjetër”, shtoi avokati për Infokus-in.

Kujtojmë që aksidenti ka lënë të vdekur familjen Ramadani, ku ka vdekur kryefamiljari i kësaj familje Naim Ramadani 39-vjeçar – drejtues i automjetit, Xhevrije Ramadani 60-vjeçare (nëna e Naimit), Sabrije Ramadani 32-vjeçare (gruaja e Naimit) dhe Y.R. 12-vjeçar djali i Naimit).

Ndërsa, Ibadete Ramadani 32-vjeçare (motra e Naimit) vdiq më 17 qershor pasi nuk u mbijetoi plagëve të aksidentit në QKUK.

Lidhur me këtë rast i dyshuari që shkaktoi aksidentin, Erton Musliu me urdhër të Prokurorit të Shtetit ishte në paraburgim deri të premten e kaluar.

Ai ngarkohet me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”. Por të premten, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Adem Shabani me rekomandim të prokurorit të lëndës e ka ndryshuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera