Lajme

Lirimi i Pantiqit, Sveçla: Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani

Autori: Gazeta inFokus 20:41 | 20 October 2023

Ish-zyrtari policor serb Dejan Pantiq, i dyshuari kryesor për sulmin me mjete shpërthyese në zyret e KQZ – së, është liruar nga arresti shtëpiak.

Në lidhje me këtë ka reaguar ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se policia e Kosovës po i arreston terroristët si Pantiq, derisa ata me paratë e krimit po e blejnë lirinë me dorëzani.

“Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani. Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, shkroi Sveçla.

-Advertisement-

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës”.

“Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera