Lajme

Lirimi i masave anti-covid, flet Valbon Krasniqi

Autori: Gazeta inFokus 11:51 | 29 May 2021

Në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjithnjë e më shumë po vërehet shtimi i kërkesave të shërbimeve spitalore për pacientët post-COVID. Por sa i përket rasteve klinike me koronavirus gjendja është e qetë dhe stabile.

Kështu bën të ditur drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi i cili thotë se gjendja aktuale në aspektin klinik të pacientëve është e qetë dhe stabile.

Ai thotë se në të ardhmen duhet të mendohet për trajtimin e ndërlikimeve te pacientët që e kanë kaluar COVID-19.

-Advertisement-

“Si rezultat i zvogëlimit të rasteve të reja të të infektuarve nuk ka pasur fluks të pacientëve që kanë ardhur për t’u shtrirë në spitalet tona…03\13 Tani ne po ballafaqohemi gjithnjë e më shumë me kërkesa për shërbime spitalore për pacientët që kanë kaluar COVID-in dhe që kanë pasur komplikime ose ndërlikime sidomos në organet e mushkërive dhe nga një numër për shembull prej 65 pacientëve që i kemi sot të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë, 49 prej tyre i kemi negative sa i përket testin PCR për COVID. Por për shkak të gjendjes së përgjithshme vazhdojnë të qëndrojnë më tutje në Klinikën e Pulmologjisë ose janë liruar më herët por përsëri janë thyer. Duket që në të ardhmen duhet të mendohet edhe për shërbimet të ashtu quajtura për pacientët post-COVID në mënyrë që të mjekohen komplikimet ose ndërlikimet që kanë mundur të ndodhin tek këta pacientë“, tha ai.

Për lirim të masave antiCOVID drejtori i SHKSUK-së, Valbon Krasniqi thotë se këto masat janë në përputhje me situatën epidemiologjike.

“Masat duhet të jenë gjithmonë̈ në harmoni ose në përputhje me situatën epidemiologjike në të cilën kalojmë. Nëse në situata të rënduara kur kemi numër të madh të rasteve të infektuara dhe kur kemi stërngarkim të spitaleve me raste të spitalizuarve sigurisht që kërkojmë shtrëgnim të masave, dhe normalisht kur kemi situatë më të qetë edhe masat duhet të jenë në përputhje me këtë situatë“, theksoi Krasniqi.

Por ai kërkon respektim të masave në fuqi nga të gjitha palët.

Sipas Krasniqit ardhja e mërgatës nuk paraqet shumë rrezik për përhapje të infeksionit pasi tashmë edhe vendet ku ndodhet mërgata janë në proces të mbarë të vaksinimit antiCOVID.

“Tani ne jemi në një situatë tjetër jemi në proces të vaksinimit si Kosovës, ndërkohë që edhe shumica e shteteve të tjera në rajon dhe Evropë kanë ecur mirë me vaksinim dhe nëse i referohemi mërgimtarëve që mund të vijnë në Kosovë ata mund të paraqesin edhe në anën tjetër rrezik ta marrin infeksionin këtu dhe ta dërgojnë në vendin e tyre. Pra, nuk mund të shihen vetëm nga njëra anë. Me rendësi është që sidomos në shtetet ku ekziston popullata e mërgatës sonë tashmë ka ecur mjaftë mirë dhe po shpresojmë që pjesa më e madhe janë vaksinuar që të jemi më të mbrojtur…Edhe lirimi i masave që është paralajmëruar duhet të jetë i respektueshëm nga të gjithë edhe nga qytetarët individët, por edhe nga bizneset dhe organizatat biznesore që do rifillojnë punën. Nëse ka respektim të masave, nëse ka kujdes të shtuar nga të gjithë me siguri që ne mund ta mbajmë këtë situatë. Nëse kësaj i shtojmë edhe procesin e vaksinimit që është duke ndodhur dhe pritet të përshpejtohet në muajt në vijim atëherë mund të marrim frymë më lirshëm”, theksoi Krasniqi.

Për shkak të rënies së shifrave të të infektuarve me koronavirus tanimë janë mbyllur tri klinikat COVID, ajo Internistike, e Mjekimit Intensiv Qendror edhe ajo e Mjekimit Sportiv e cila ishte hapur enkas vetëm për shtrimin e pacientëve me COVID-19.

E për këtë objekt i cili është i mbyllur, Krasniqi thotë se 95 shtretërit e kësaj klinike do të vazhdojnë të jenë të gatshëm nëse do të ketë nevojë për shtim të kapaciteteve spitalore për pacientët e prekur me koronavirus.

“Ne ende jemi në pandemi me gjithë numrin e zvogëluar të rasteve që vërejmë këtë muaj, megjithatë virusi është ende prezent dhe nuk mund të lirohemi në tërësi dhe të themi se shkoi pandemia dhe nuk do të na duhen në të ardhmen këto kapacitet. Prandaj edhe projekti i Mjekësisë Sportive por edhe klinikat tjera të cilat janë shfrytëzuar për trajtimin e pacientëve ne e kemi në planin tonë të punës në mënyrë që nëse paraqitet nevoja ne duhet përsëri të zgjerojmë kapacitete. Pra, tani për tani do të qëndrojë ashtu ende nuk kanë përfunduar të gjitha punimet ai objekt ka qenë në ndërtim e sipër do të vazhdojnë punimet në pjesët e tjera të këtij objekti në mënyrë që të përfundojë në tërësi dhe nëse paraqitet nevoja ne përsëri do ta shfrytëzojmë për trajtimin e pacientëve”, tha Krasniqi.

Kosova ka nënshkruar kontratën me Pfizer dhe deri në fund të vitit pritet arrijnë e 1.2 milion doza të kësaj vaksine. Kurse deri në fund të vitit Kosova synon të vaksinoj 60 për qind të popullatës.

Ndërsa, tutje po vazhdon procesi i vaksinimit anit-COVID me vaksinat AstraZeneca të cilat janë dhuruar për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. Po nga kjo Aleanca gjatë kësaj jave janë pranuar edhe mbi 100 mijë vaksina Pfizer. /KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera