Lajme

Limaj me mesazh për Kurtin: Vrapo ta bësh shumicën parlamentare, Albulena Haxhiu nuk është tema

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 10 June 2025

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës nuk ka të bëjë me emrin e kandidatit për kryetar, por me mungesën e shumicës parlamentare nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një intervistë për A2CNN, ai i bëri thirrje Albin Kurtit që të fokusohet në krijimin e kësaj shumice, e cila është thelbësore për funksionimin e institucioneve.

“Tema nuk është Albulena Haxhiu. Tema është mungesa e mazhorancës. Vetëm ajo e zhbllokon situatën,” u shpreh Limaj, duke shtuar se as Kushtetuta, as Gjykata Kushtetuese, e as Presidentja nuk mund të krijojnë shumicën – këtë mund ta bëjnë vetëm ata që i kanë fituar votat.

-Advertisement-

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje nuk do ta ndryshojë situatën, pasi “asnjë vendim nuk mund ta detyrojë një deputet se si të votojë”. Ai e quajti “humbje kohe” mbështetjen në një aktgjykim hipotetik për të zgjidhur krizën institucionale.

Megjithatë, Limaj u shpreh optimist se një marrëveshje politike do të arrihet dhe institucionet do të funksionalizohen: “Jam i bindur që Kosova shpejt do t’i ketë institucionet, sepse rrugë tjetër nuk ka.”

Sa i përket deklaratave të ministres në detyrë Albulena Haxhiu, e cila përmendi mundësinë e zgjedhjeve të reja së bashku me ato lokale, Limaj i cilësoi ato si një “shaka momentale” dhe jo një opsion serioz.

Nisma përjashton marrëveshje me VV-në

Ndërkohë, zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka mohuar çdo marrëveshje me Vetëvendosjen. Ai tha se qëndrimi i partisë mbetet i njëjtë: mbështetje për tejkalimin e krizës në Kuvend, por jo pjesëmarrje në qeveri.

“Nuk ka marrëveshje me Vetëvendosjen. Qëndrojmë pas qëndrimit që Fatmir Limaj të jetë kryetar i Kuvendit si pjesë e një marrëveshjeje për koalicion parlamentar, jo për ndarje pushteti,” deklaroi Shala për “Sinjalin”.

Ai nënvizoi se oferta e Nismës është e qartë: “Nuk kërkojmë pozita në qeveri, por funksionalizim të institucioneve.”/Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion fuqizon ragbin në Kosovë, Prishtina mirëpret Turneun Ndërkombëtar “Europe 7’s Conference”
-Advertisement-

Të tjera