Lajme

Ligjvënësi gjerman jep dorëheqjen, përfitoi nga kontratat për maskat

Autori: Gazeta inFokus 07:29 | 08 March 2021

Një ligjvënës i partisë së kancelares gjermane Angela Merkel tha të dielën se ai do të lëshojë vendin e tij në parlament dhe do të largohet nga politika, vendim që pason publikimin e të dhënave se kompania e tij ka përfituar nga marrëveshjet për të blerë maska në fillim të pandemisë.

Publikimi i rastit ka nxitur kritika të ashpra ndërsa vendi ndodhet në një vit zgjedhor.Nikolas Loebel, ligjvënës i Bashkimit Kristian-Demokrat të Qendrës së Djathtë të zonjës Merkel, u kritikua nga anëtarë të partisë së tij dhe kundërshtarë politikë pas publikimit të njoftimeve të premten se një kompani që ai drejton, ka fituar rreth 300,000 dollarë nga kontratat e ndërmjetësimit për të blerë maska.

Duke thënë se duhej të kishte qenë më “i ndjeshëm” zoti Loebel pranoi se kishte gabuar dhe hoqi dorë nga vendi i tij në parlament.Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për kritikët, veçanërisht pasi shteti i tij i Baden-Wuerttemberg-ut më 14 mars pritet të zgjedhë organin legjislativ rajonal. Ndërkohë më 26 shtator pritet të zhvillohen zgjedhjet në rang kombëtar, proces gjatë të cilit gjermanët do të zgjedhin parlamentin e ri dhe do të përcaktojnë se kush do të pasojë zonjën Merkel.

-Advertisement-

Të dielën, zoti Loebel tha se ai do të largohej menjëherë nga grupi i partisë së tij në parlament dhe se në gusht do të lëshonte vendin si ligjvënës. Agjencia e lajmeve gjermane “dpa” njoftoi se ai kërkoi falje dhe tha se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e shtatorit.“Po marr përgjegjësinë për veprimet e mia”, tha ai.Rasti i zotit Loebel nuk ishte i pari që ka tronditur bllokun e qendrës së djathtë. Georg Nuesslein, një ligjvënës i shquar i Bashkimit Social-Kristian, partia simotër e Kristian Demokratëve, përballet me një hetim për korrupsion nga prokurorët e Mynihut, lidhur me marrëveshje mbi prokurimin e maskave. Zoti Nuesslein i ka hedhur poshtë akuzat./voa

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera