Lajme

Ligji i ri ulë numrin e aksidenteve për 300

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 18 March 2018

Gjobat e larta të përcaktuara nga ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor si duket i kanë dhënë rezultate e para për rënien e aksidenteve në Kosovë, ndonëse shqetësuese ende mbetet inkasimi i gjobave të shqiptuara.

Ekspertët e sigurisë në trafik gjobat e larta i shohin si zgjidhje e përkohshme, ndërsa edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun në trafik e shohin si zgjidhja më e mirë për të rritur sigurinë në komunikacion.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Samedin Mehmeti për KosovaPress ka deklaruar se masat e reja të përcaktuara nga ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor kanë shënuar progres në rënien e aksidenteve.

-Advertisement-

Statistikat e Policisë së Kosovës thonë se 300 aksidente më pak janë shënuar në dy muajt e parë të vitit 2018, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

”Këto masa i kanë dhënë disa rezultate të cilat aktualisht i kemi, për shembull kemi më pak se 300 aksidente në përgjithësi që është më pak 12 për qind në raport me vitin e kaluar, nëse duam t’i zbërthejmë -23 për qind në aksidentet me dëme, nëse duam t’i shikojmë aksidentet me fatalitet, ajo që neve më së shumti na shkakton dhimbje janë aksidentet që shkaktojnë dëme më të mëdha që është jeta e njeriut, i kemi diku rreth -11 për qind. Ne do e përcjellim gjendjen në trafik, ne do i përcjellim edhe efektet që po i jep ligji i ri edhe do të tentojmë që këto me u bashkëlidhë me masat tjera preventive”, tha ai.

Sipas Mehmetit, Policia e Kosovës për periudhën janar-shkurt 2018, i ka shqiptuar gjithsej 53 mijë gjoba, ku rreth 38 për qind e tyre janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë.

“Është diku mbi 53 mijë gjoba që është një numër kogja i madh…Qëllimi jonë është zvogëlimi i shpejtësisë sepse një prej atyre faktorëve kryesor që kanë ndikuar deri më tani në rritjen, sidomos të aksidenteve me fatalitet dhe me dëme të mëdha materiale dhe me të lënduar është shpejtësia e lartë. Ne kemi edhe një numër të madh të gjobave diku rreth 38 për qind e gjobave janë shqiptuar për shembull për shpejtësi që nënkupton që është numër i madh i shkeljeve në trafik që ka të bëjë me shpejtësinë“, u shpreh Mehmeti.

Për njohësin e çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi, rritja e gjobave është zgjidhje momentale dhe jo e përhershme.

Kurse, edukimin e gjeneratave për rrezikun në komunikacion e sheh si garantues të qëndrueshëm të sigurisë në rrugë.

“Unë pari nuk ndaj mendimi që shqiptimi i gjobave është garantues i sigurisë në rrugë, mirëpo, unë mendojë se për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjate duhet që të merren masa konkrete, të punohet me të gjithë pjesëmarrësit në trafik në fushën e edukimit dhe arsimimit të tyre duke filluar nga çerdhet për të vazhduar pastaj në të gjitha nivelet e shkollimit për shkak se kjo është një garantues i qëndrueshmërisë së sigurisë në rrugë në afate më të gjata kohore, ndërsa shqiptimi i gjobave si ndodhi muajin e kaluar apo kohëve të fundit, unë mendoj që është një zgjedhje momentale, jo një zgjedhje e përhershme e cila do të ofronte siguri për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, tha ai.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Muhamed Krasniqi zgjidhjet duhet të gjendet edhe për inkasimin e gjobave të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

“Nuk mendojë që caktimi i gjobave të lidhet me standardin e jetës, këto janë thjeshtë politika dhe strategji të cilat i cakton shteti me qëllimin më të mirë që të rrisë sigurinë në rrugë, për shkak se veprimet e tilla hasim çdokund, por fatkeqësia këtu është se këto zgjidhje bëhen të aty për atyshme, domethënë nuk është një periudhë më e gjatë e cila do t’i involvonte palë më të shumta të interesit dhe bashkarisht të vinim deri tek përcaktimi i masave konkrete se si do të rritej siguria në rrugë…Mendoj se në vend të kësaj më mirë do të ishte të mendohej dhe të punohej si të inkasohet këto gjoba të gjendet forma dhe bashkëpunimi i institucioneve të cilat janë përgjegjëse për formën se si të bëhet ekzekutimi i këtyre gjobave duke ditur se tash kemi me mijëra lëndë të pa ekzekutuara, me mijëra gjoba të shqiptuara dhe të pa inkasuar nga institucionet përkatëse”, tha ai.

Ndryshe nga 1 janari i këtij viti në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me të cilin janë rritur gjobat për të gjithë ata që shkelin rregullat në komunikacion.

Disa nga dënimet më të ashpra që i ka përcaktuar ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor janë:

1. Vozitja e veturës pa patentë shofer dënohet me gjobë nga 500 deri në 1500 euro, si dhe shënon tri pikë negative nga gjithsej 12 sa ka patentë shoferi.

2. Shoferi që vozitë nën ndikim e alkoolit mund të dënohet me gjobë deri në 900 euro, dhe po ashtu atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje deri 2 vite, duke iu shënuar edhe tri pikë negative në patentë shofer.

3. Tejkalimi i shpejtësisë 50 km/h në qoftë se me shenja të trafikut nuk është e përcaktuar ndryshe, dënimi është me gjobë prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.

4. Gabimet në tejkalim apo tejkalimet nga ana e djathë dënohet nga 100 deri në 300 euro, shoferit mund t’i shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik me kohëzgjatje deri në 6 muaj, dhe shënimi e një pike negative.

5. Nisja me vrull apo gara dënohen me gjobë deri në 300 euro, dhe mund t’i shqiptohet edhe një pikë negative.

6. 150 euro është gjoba për të gjithë shoferët që kalojnë kur është e ndezur drita e kuqe e semaforit, po ashtu atyre shoferëve iu shënohen tri pikë negative, ndërsa pa patentë shofer mbetet për 3 muaj.

7. Vozitja në rrugën njëkahore dënohet nga 70 deri në 210 euro, dhe një pikë negative në patentë shofer.

8. Këmbësorët që përdorin telefona dhe dëgjuese në vesh gjatë kalimit të rrugëve dhe dënimi për këtë shkelje është 20 euro.

Ndryshe në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës vetëm në periudhën janar-nëntor 2017 janë shënuar gjithsej 16.122 aksidente prej tyre 107 aksidente kanë qenë me fatalitet, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 371 mijë e 976 gjoba.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera