Lajme

Ligji për ‘Trepçën’, veç në letër

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 21 September 2017

Në tetor bëhet një vit që nga miratimi i Ligjit për gjigantin metalurgjik “Trepça”. Në atë kohë ky Ligj u cilësua si shpëtim për këtë Ndërmarrje, por që implementimi i tij në praktikë të paktën deri tash ka mbetur vetëm në letër.

Në fillim shkak i mosimplementimit të tij ishte mungesa e institucioneve të vendit, ndërsa tash nuk ka më arsyetime. Drejtori “Trepçës”, Ahmet Tmava, shprehet optimist se Qeveria e re do ta këtë prioritet implementimin e këtij Ligji, pasi që, sipas tij është koha e fundit për të intervenuar në rimëkëmbjen e kësaj Ndërmarrjeje , shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Ne ndodhemi në një vakum ligjor. Me ligj “Trepça” duhet të regjistrohet dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse duhet të bëhet bordi. Gjendja jonë në “Trepçë” dihet si është. Në mungesë të ligjit po rrezikohet funksionalizimi i saj, shkaku i tij ne nuk kemi mundur ta regjistrojmë këtë Ndërmarrje, pasi që ende veprojmë me vula si ndërmarrje shoqërore. Aktualisht jemi në një status të mbijetesës dhe po shpresojmë që të marrim status zhvillimor, po shpresojmë dhe jemi optimistë që të ndryshojnë gjërat për të mirë në ‘Trepçë’”, ka thënë Tmava për gazetën “Zëri”.

-Advertisement-

Eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se është koha e fundit për të intervenuar.

Sipas tij, në mungesë të këtij Ligji është humbur mjaft shumë tash e sa vite. “Implementimi i Ligjit është dashur të bëhet menjëherë e jo ta presim ketë situatë, ku gjendja në ‘Trepçë’ është shumë e keqe dhe nuk ka ndonjë vizion të qartë se si do të vazhdohet më tutje. Sipas mendimit tim, Qeveria e tanishme do të duhet që t’i përvishet punës për funksionalizimin e ‘Trepçës’ dhe ta themelojë bordin e ri, sepse pa bord të ri nuk mund të zhvillohet Ndërmarrja, nuk mund të ndërtohet vizioni i ardhshëm i saj dhe të fillojë funksionimi i saj në bazë të ekonomisë së tregut, të hapet mundësia për investitorë të jashtëm, të hapet rruga për partneritet publiko-privat”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera