Lajme

“Ligji për konfiskimin e pasurisë”, si do të mund të hetohet pasuria e diasporës?

Autori: Gazeta inFokus 16:23 | 06 January 2022

Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i miratuar nga Qeveria Kurti, nuk do të përfshijë vetëm zyrtarin shtetëror të Kosovës.

Ky ligj do të mund të shtrihet te anëtarët e familjes së tij, të cilët mund të jenë duke jetuar edhe jashtë vendit.

Të dhënat flasin se pothuajse çdo familje kosovare mund të ketë familjarë të cilët jetojnë në diasporë dhe rrjedhimisht edhe personat zyrtarë mund të kenë familjarë të tyre që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

-Advertisement-

Me pak fjalë, pothuajse të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, mund të jenë objekt i këtij ligji, direkt – si persona zyrtarë e të ekspozuar politikisht, apo indirekt – si anëtarë të familjes së personit zyrtar dhe si palë e tretë.

Që ky ligj do të zbatohet jo vetëm për zyrtarët shtetërorë, por edhe për anëtarët e tyre të familjes, e thotë Neni 2 dhe kjo do të ketë fuqi prapavepruese deri me 17 shkurt 2008.

Pra, objekt i hetimit të pasurisë së një personi zyrtar, mund të bëhet edhe pasuria e familjarëve të tij, edhe kur ajo ndodhet jashtë territorit të Kosovës.

Kjo është rregulluar me Nenin 63, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Kërkesa e Byros për shtetet tjera do të bëhet nga Gjykata. Në pikën e parë të këtij neni thuhet se “Byroja mund të kërkojë sigurimin e informatave dhe marrjen e dëshmive jashtë vendit, përmes kërkesës për sigurimin e informatave dhe marrjen e dëshmive jashtë vendit”.

Po sipas këtij neni, Byroja do të mund të kërkohet ndërmarrja e këtyre veprimeve: (3.4.) Këqyrja e sendeve dhe vendeve dhe (3.6.) Ofrimi i origjinaleve ose kopjeve të vërtetuara të dokumenteve dhe të dhënave relevante, përfshirë të dhëna qeveritare, bankare, financiare, të ndërmarrjeve ose të biznesit

Dhe jo vetëm objekt i hetimit, por vendimet do të vlejnë edhe për pasurinë jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë është specifikuar në nenin 64 të këtij ligji.

“Aktvendimi për masën e përkohshme për sigurimin e pasurisë, aktvendimi për masën e sigurimit të pasurisë dhe aktgjykimi për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme sipas këtij ligji, mund të përfshijnë pasuri që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë të atij neni.

Projetkligji për Byron Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar nga Qeveria Kurti në fund të muajit dhjetor dhe i njejti i është dërguar Kuvendit të Kosovës. Shqyrtimi i tij në komisionet parlamentare ende nuk ka nisur.

Gjatë hartimit të këtij projektligji, nuk është treguar nëse edhe përfaqësues nga diaspora kanë qenë pjesë e diskutimeve.

Nëse miratohet, ky ligj do të hyjë në fuqi 6 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës./blic/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera