Lajme

Licencimi i mësimdhënësve, MAShTI dhe SBASHK-u ende të ndarë

Autori: Gazeta inFokus 15:06 | 17 April 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative, në të cilën parashihet licencimi i mësimdhënësve. Por kjo iniciativë po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), pasi që kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pakoe ndryshimeve legjislative, do të ndikojë në cilësi të mësimdhënies dhe të mësimnxënies.

Përmes një përgjigje me shkrim, nga MAShTI bëjnë të ditur se në kuadër të draftit UA për lincencimin e mësimdhënësve parashihen tri nivele të licencave, të cilat vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Sipas Ministrisë, në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë.

-Advertisement-

“MASHTI është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative të cilat ndikojnë në cilësi të arsimit përkatësisht mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në kuadër të kësaj pakoje është edhe draft-UA, për licencimin e mësimdhënësve. Grupi punues ka hartuar draftin për këtë udhëzim dhe shumë shpejtë do të fillojë diskutimi i gjerë me mësimdhënës për këtë pako ligjore… Ky draft UA parasheh 3 nivele të licencave (licenca e karrierës, licenca e avancuar dhe licenca e përhershme). Kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës-i brendshëm dhe i jashtëm dhe vlerësimit që pritet të organizohet nga MASHTI. Në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë. Këto nivele të licencave vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Zbatimi i këtyre niveleve të licencës do të fillojë pas finalizimit të kuadrit ligjor”, bëri të ditur MASHTI përmes një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj deklaroi për KosovaPress se do ta kundërshtojnë me të gjitha metodat testimin e mundshëm me shkrim për mësimdhënësit në vend.

Sipas tij, SBASHK-u insiston që të shtohet numri i inspektorëve profesionalë që ata të shkojnë shkollë më shkollë, klasë më klasë dhe të shohin nga afër punën që bënë mësimdhënësi tha Jashari.

“SBASHK-u kurdo që është përdorur si me qëllim ashtu edhe pa qëllim nga institucionet termi test me shkrim, për dituri apo njohurinë e mësimdhënësve që moti ka qëndrim, të cilin e mbron edhe tani, test për njohuritë e mësimdhënësve nuk ka pasur, nuk ka të tilla edhe nuk do të ketë asnjëherë. Ne do të marrim të gjitha angazhimet që të mos ndodh kurrë me të vetmen arsye, sepse e konsiderojmë si degradim dhe nënçmim për arritjen dhe shkollimin që kanë bërë mësimdhënësit, sepse ata në Fakultetin e Edukimit janë testuar dhjetëra herë, janë pyetur mësimdhënësit dhe me diplomë ata dëshmojnë se individi i caktuar është i përgatitur për sektorin e arsimit”, tha ai.

Kundër vlerësimit me shkrim (testimit) të mësimdhënësve shprehen edhe nga Instituti EdGuard.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha për KosovaPress se ka një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i domosdoshëm mirëpo vlerësimi sipas legjislacionit aktual sikurse në atë të rishikuar nuk parasheh testimin e mësimdhënësve si instrument të vetëm, ajo që është më e rëndësishme është që të ketë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve jo testim të tyre, mësimdhënia është shumë komplekse dhe shumë e ndjeshme për tu vlerësuar ose gjykuar me një test të vetëm… Testimi si instrument i vetëm, padyshim që jemi kundër, edhe nga një këndvështrim statistikor në terma të validitetit dhe besueshmërisë mungon në të tilla, mirëpo më e rëndësishme për neve është të kemi një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës që parasheh vetëvlerësim nga mësimdhënësi, vlerësim nga drejtori i shkollës, vlerësim të jashtëm nga inspektorati, dhe vlerësim portofolit, pra kjo është ajo çka na thotë ligji aktual që në secilin rast dëshirojmë ta kemi të rishikuar dhe të përditësuar për ta gjetur atë modalitetin ideal që na siguron një vlerësim të sigurt dhe të besueshëm në performancën e secilit mësimdhënës”, ka theksuar ai.

Në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, në vitin 2019, Kosova është renditur e treta nga fundi, në rezultatet e publikuara nga programi për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve, PISA.

Kosova është vendin e 77-të për cilësi të dobët në arsim, nga 79-të vende të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera