Lajme

“Liberalizimi s’ka kuptim pa Karton të Gjelbër”, institucionet në kërkim të zgjidhjes

Autori: Gazeta inFokus 19:10 | 26 March 2024

Lulzim Veseli ndau 100 euro për të paguar sigurimin e makinës për tre muaj, rrugës së tij nga Kosova për në Gjermani.

“Maltretim dhe i kushtueshëm”, thotë ai, teksa rrëfen për udhëtimin me makinë në fillim të shkurtit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk bën pjesë në Këshillin e Byrove Evropiane dhe, rrjedhimisht, qytetarët e saj mbeten jashtë Sistemit të Kartonit të Gjelbër.

-Advertisement-

Kartoni i Gjelbër është certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve dhe njihet nga autoritetet e 47 vendeve të Këshillit të Byrove Evropiane.

Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës, kur dalin jashtë, duhet të paguajnë shuma të ndryshme – varësisht kohëzgjatjes së qëndrimit në vendin e huaj.

Situata është e tillë prej vitesh, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të gjetur zgjidhje.

Por, ajo është risjellë në fokus pas liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti, dhe rritjes së numrit të qytetarëve që udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës.

Përveçse pranojnë kostot financiare që shkakton mungesa e Kartonit të Gjelbër, institucionet përgjegjëse nuk japin shumë informacione se çfarë është duke u bërë për të siguruar këtë sigurim të automjeteve.

Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet, e ngriti çështjen e mungesës së Kartonit të Gjelbër si temë në një mbledhje të Komisionit parlamentar të Kosovës për buxhet, punë dhe transfere, që u mbajt këtë muaj.

Ai tha se shkas ishte rritja e numrit të udhëtareve nga Kosova drejt vendeve të BE-së, pas liberalizimit të vizave.

Kartoni i Gjelbër është “barrë për qytetarët e Kosovës”, tha Rrahmani.

Ai nuk specifikoi se sa është rritur numri i udhëtarëve, por për këtë dukuri REL-i raportoi më 9 mars.

Në të njëjtën mbledhje të Komisionit për buxhet mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Institucioni i tij mbikëqyr dhe rregullon tregun e kompanive të sigurimeve në Kosovë, përfshirë edhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila ka rol kryesor në negociatat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane.

Duke kujtuar faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, Ismaili tha se janë propozuar tashmë “dy-tri alternativa të tjera” për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, që, siç tha, kanë shënuar përparim.

Por, ai nuk specifikoi më shumë.

“Për shkak se janë kryesisht takime bilaterale, ndoshta nuk është e drejtë të shpalos shumë se me cilët partnerë”, tha Ismaili.

Radio Evropa e Lirë pyeti direkt BQK-në se për cilat alternativa bëhet fjalë, por mori këtë përgjigje:

“Kjo çështje është duke u trajtuar së bashku me institucionet përkatëse dhe është ndër objektivat e Planit Strategjik të BQK-së”.

As Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) nuk dha ndonjë përgjigje konkrete, pos që “mbetet në kontakt” me Këshillin e Byrove Evropiane, me seli në Bruksel.

“Mos anëtarësimi i Kosovës në OKB është pengesa që e pamundëson pranimin e BKS-së në Këshillin e Byrove Evropiane”, thanë nga kjo byro.

Për këtë temë, REL-iu iu drejtua edhe Qeverisë së Kosovës, edhe Këshillit të Byrove Evropiane, por prej këtyre dy institucioneve nuk mori asnjë përgjigje.

Si të gjendet zgjidhja?

REL pyeti disa kompani në Kosovë që shesin polica të sigurimit për shtetet e BE-së dhe çmimet sillen nga 65 euro për një muaj deri në 100 euro për tre muaj.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thotë se lëvizja pa viza nuk ka kuptim kur shoqërohet me pengesa dhe vështirësi gjatë hyrje-daljeve në shtetet evropiane.

Për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, ai rekomandon që procedura të nisë përmes një shteti tjetër.

“Të fillojnë negociatat me njërin nga shtetet fqinje dhe të marrim pëlqimin nga Këshilli i Byrove Evropiane. Kjo të jetë si fazë kalimtare, derisa të krijohen kushtet për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane, sepse pagesat kanë kosto të lartë për qytetarët e vendit”, thotë Rexhepi.

Kur është shqyrtuar mundësia përmes një shteti tjetër në vitin 2022, Kosova është dashur të plotësojë disa kushte.

Një ndër to ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për njohjen reciproke të policave të sigurimit me sa më shumë shtete.
Këtë e ka arritur, duke pasur marrëveshje të tilla me katër shtete të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Kusht tjetër për Kartonin e Gjelbër ka qenë, po ashtu, ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara nën nivelin prej 5% – gjë të cilën Kosova, sipas BKS-së, e ka plotësuar.

Derisa çështja mbetet pa u zgjidhur, ajo prek edhe vozitësit që hyjnë me automjete me targa të huaja në Kosovë.

Ata duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh.

Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe për kamionë me peshë mbi një ton.

Në të kaluarën, Qeveria e Kosovës ka ndarë disa herë mjete nga buxheti i saj për të mbuluar sigurimin kufitar për diasporën.

E, Lulzim Veseli thotë se po të kishte mundësi vendimmarrjeje, çështjen e Kartonit të Gjelbër nuk do ta largonte nga fokusi.

“Unë kam dëshirë të shëtis në vendet e BE-së – ani tash pa viza”, thotë banori i Prishtinës. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera