Fokus

Leximi së prapthi i konkluzioneve të Komisionit të Venecias nga ministrja e Drejtësisë

Autori: Islam Morina 16:13 | 14 December 2021

Mëngjesin e kësaj të marte Komisioni i Venecias ka publikuar rekomandimet lidhur me iniciativën ligjore të qeverisë për reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Pjesa dërrmuese e rekomandimeve të këtij komisioni, thonë se Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk duhet vënë para nënështrimit nga shumica qeverisëse dhe se prokurori duhet të mbetët anëtar sipas detyrës zyrtare.

“Megjithatë, reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së nga shumica qeverisëse. Projekt-amendamentet propozojnë që të gjithë anëtarët porotë të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të padrejtë politik mbi KPK-në dhe duhet të jetë i tillë rishqyrtohet: zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem proporcional të zgjedhjeve, ose emërimi i disa anëtarëve porotë nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile. Kjo është e nevojshme për të siguruar që komponenti bazë i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që të anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse nuk mund të qeverisin të vetëm;

-Advertisement-

Prokurori i Përgjithshëm duhet të mbetet anëtar “ex officio” i KPK-së (me një rregullimin përkatës të përbërjes së KPK-së, nëse është e nevojshme); ligji duhet të përcaktojë më qartë sferat përkatëse të kompetencës së PP dhe të KPK-së”, thuhet në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Por, për ministren e Drejtësisë, me një lexim së prapthi del se Opinioni i Komisionit të Venecias është pozitiv, duke iu referuar vetëm një pjese të vogël të rekomandimeve.

“Jam shumë e lumtur që Komisioni i Venecias, përmes opinionit i cili tashmë është publik, ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7 e po ashtu ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit, për disa anëtarë të KPK”, ka shkruar pos tjerash ministrja Haxhiu.

Komisioni po ashtu konstatuar se edhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve porotë nga një komision parlamentar është komplekse, e pa qartë dhe hapë dyert për manipulime, andaj duhet rishikuar thellësisht, kurse për procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të prokurorisë ka kostatuar se kjo i jep shumë pushtet komisionit zgjedhor të KPK-së, ku dominojnë anëtarët jo prokurorë, duke shtuar se nëse duhet një organ filtrues, ai duhet të ketë përbërjë të prokurorëve.

“Edhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve porotë nga një komision parlamentar është komplekse dhe, në të njëjtën kohë, e paqartë. Kjo i hap dyert manipulimeve. Komisioni i Venecias rekomandon që kjo procedurë t’i nënshtrohet një rishikimi të thellë; autoritetet mund të konsiderojnë modele alternative që sigurojnë përbërjen pluraliste të KPK-së (si p.sh. sistemi proporcional i zgjedhjes së anëtarëve porotë);

Njëjtë edhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të prokurorisë jep shumë pushtet në komisionin zgjedhor të KPK-së, ku dominojnë anëtarët jo prokurorë. Nëse është i nevojshëm një lloj organi filtrues, ai duhet të përbëhet nga prokurorët, ose të paktën shumicë prokurorësh”, thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.

Edhe dispozitat kalimtare nuk kanë kaluar me rekomandime pozitive nga komisioni, por që për ministren është e kundërta.

“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve aktual të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në e ripërtërirë të funksionojë vetëm me anëtarë jo prokuror në përbërjen e saj, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë dhe duhet të rishikohen. KPK-ja e re mund të fillojë të funksionojë vetëm kur të zgjidhen të gjithë anëtarët. Zëvendësimi i anëtarëve që janë aktualisht në detyrë, me anëtarë të rinj, mund të bëhet në raste të jashtëzakonshme dhe justifikohet vetëm nëse çon në një përmirësim të madh në sistemin aktual (në veçanti, depolitizimi). Nëse nuk është kështu, anëtarët aktualë – ose të paktën disa prej tyre, duhet të lejohen të vazhdojnë të shërbejnë në mandatet e tyre”, thuhet në rekomandimet e Komisionit të venecias.

Përkundër krejt kësaj ministrja Haxhiu, ka zgjedhur të konstatojë se kujt i shkon për shtati, e kujt jo reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“E kuptoj që reforma në drejtësi nuk i shkon për shtati as disa portaleve por nuk kemi çfarë t’ju bëjmë përveç se të angazhohemi shumë më shumë deri sa Kosova të jetë shtet i së drejtës”, ka shkruar në Facebook ministrja Haxhiu.

Por në të tërë këtë reagim e lexim së prapthi të rekomandimeve nga ministrja e Drejtësisë, shpresdhënës mbetet zotimi i saj, se do t’i respektojnë pikë për pikë, të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falenderojmë për bashkëpunimin”, është zotuar ministrja Haxhiu./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera