Lajme

Letrat e vitit 1994 nga Srebrenica që kurrë nuk arritën në adresën e dëshiruar

Autori: Gazeta inFokus 15:54 | 05 July 2017

“Dua paqe, dua të jetoj”. Këto janë fjalët e një fëmije, shkruar në një nga letrat, me shumë gjasë të një prej fëmijëve të Srebrenicës në vitin 1994. Në letër gjendet një dorë e vizatuar dhe emri Hasan Hasanoviq, ndërsa shkruan: “Dikur ekzistonte një Bosnjë, e ftohtë dhe e uritur, por këmbëngulëse në ëndrrat e saj”.

Këtë, si dhe disa letra të tjera, por edhe video-xhirime të Srebrenicës dhe Potoçarit nga viti 1994, për Anadolu Agency (AA) i shfaqi Osman Avdiç, një nga të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrenicë. Kjo është hera e parë që këto letra dhe regjistrime paraqiten publikisht.

Avdiç i ka marrë ato nga një ushtar holandez i cili në atë kohë ishte i angazhuar me detyrë në Potoçari. Letrat dhe xhirimet ushtarit ia kanë dhënë banorë të Srebrenicës të cilët në këtë mënyrë janë përpjekur për të komunikuar me të afërmit e tyre në pjesët e tjera të botës.

-Advertisement-

Ata janë përpjekur që atyre t’u përcjellin ngjarjet në Srebrenicë dhe Potoçari, por gjithashtu t’u thonë se ata janë mirë dhe se do të shihen një ditë me lejen e Zotit. Megjithatë, nuk dihet nëse autorët e letrave, të cilat kurrë nuk shkuan në adresën e dëshiruar, janë nga të paktët që i mbijetuan gjenocidit të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Srebrenicasit nuk e kishin humbur shpresën

Osman Avdiç ka lindur në Miliçi, ndërsa me familjen e tij ka ardhur në enklavën e Srebrenicës në vitin 1993. Një vit më vonë ai ka humbur babanë e tij, kurse shtatë fëmijët kishin mbetur vetëm me nënën e tyre. Ata kanë jetuar në afërsi të bazës së ushtarëve holandezë. Janë shoqëruar me ta, kanë mësuar gjuhën angleze por edhe kanë shkëmbyer gjëra të ndryshme për ushqim. Pas të gjitha ngjarjeve, ai ka ngelur në kontakt me disa prej tyre.

“Në janar të këtij viti isha në Holandë. Shkova për t’u takuar me një ish-ushtar, me të cilin u njohëm në vitin 1994 në Srebrenicë. Kur kontaktuam për herë të parë, më tha që ka disa video-kaseta dhe letra nga ajo periudhë. Kur është kthyer në Holandë, nuk ka mundur t’i gjejë familjet të cilave është dashur t’ua dorëzojë letrat, përmes të cilave ata do të mësonin se i kanë të gjallë të afërmit”, rrëfen Avdiç për AA, teksa lexon një letër të Hasan Hasanoviq, ku thuhet se “Ne jemi mirë në Srebrenicë, në vendin që është fundi i botës për muslimanët”.

Letrat janë shkruar më 10 korrik, 1994, konkretisht një vit para rënies së Srebrenicës dhe gjenocidit që do të niste në atë rajon.

“Këto janë xhirime nga lufta e Srebrenicës, jeta e njerëzve në vitet e luftës. Letrat në të cilën njerëzit shkruajnë në lidhje me ndarjen nga familjet e tyre, duke e përshkruar gjendjen në këtë qytet … Në një letër, një njeri përshkruan një fëmijë të vogël, se si dëshiron të luajë me të, të gëzohet, të punojnë dhe të shoqërohet”, tha Avdiç.

Letrat në atë kohë llogariteshin si mjet i sigurtë komunikimi me ata që në atë kohë nuk ishin në Srebrenicë. Një mënyrë për t’i dërguar ato në adresën e destinuar ishin ushtarët holandezë që në atë kohë ishin pjesë e zonës së sigurt të OKB-së e cila u shpall në vitin 1993.

Të hollat, letrat dhe video-kasetat, sipas Avdiç, janë dërguar në Holandë, prej ku është dashur të dërgohen për në Gjermani, Britani dhe vende të tjera, në të cilat kanë jetuar të afërmit e srebrenicasve.

“Me aq sa kam mundur të kuptoj, disa gjëra kanë arritur t’i dërgojnë në adresat e duhura, megjithatë, disa jo. Shumë prej njerëzve që jetonin atje, kanë kërkuar të kontaktojnë të afërmit e tyre dhe t’u dërgojnë gjëra. Mbase atyre kjo mund t’u është dukur e vështirë, e mërzitshme, apo mbase nuk e kanë kuptuar situatën”, tha Avdiç, i cili ka ruajtur katër letra rreth dy familjeve që kanë jetuar në afërsi të bazës në Potoçari.

Siç thotë Avdiç, kur lexon disa nga letrat, ai vëren se këta njerëz në vitin 1994 në Srebrenicë, megjithatë, nuk kanë humbur shpresën.

Letra dhe xhirimet ushtari holandez i ka ruajtur dy dekada

“Ata kanë shkruar: Një ditë, kur të takohemi, do të bëjmë gjëra të ndryshme. Shpresoj të kalojë kjo situatë në këtë qytet me shumë njerëz dhe me hapësirë të vogël dhe një ditë kjo të ndodhë dhe njerëzit të jenë të lumtur”, rrëfen Avdiç.

Letra dhe xhirimet prej më shumë se 20 vitesh i ka mbajtur ky ushtar holandez, emri i të cilit mbetet anonim.

“Ai thotë se ka dashur t’i ruajë ato për shkak se ndoshta një ditë do të arrijnë te personat e destinuar, në mënyrë që atyre t’u ngelet një kujtim i bukur, sepse mbase personat që shfaqen në këto xhirime nuk janë më gjallë”, tregon Avdiç, duke shtuar se letrat dhe xhirimet do të ngelen tek ai, derisa të paraqiten njerëz të cilët mund jenë pjesë e letrave ose xhirimeve ose ndonjë muze që dëshiron t’i posedojë këto kujtime të Srebrenicës nga vitet e 90-ta, vite këto të vështira për këtë rajon të botës.

Mijëra srebrenicas, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe fëmijë, në korrik të vitit 1995 u nisën në “rrugën e shpëtimit ose vdekjes”. Shumë u vranë në pyjet përreth Srebrenicës, por kishte edhe prej tyre që arritën të arritën në territorin e lirë të Nezukut.

Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari më 11 korrik do të falet namazi i xhenazes dhe varrimi i dhjetëra eshtrave të viktimave të gjenocidit të identifikuara rishtazi, të cilët në korrik të vitit 1995 u vranë nga policia dhe ushtria e Republikës Sërpska dhe formacionet paramilitare nga Republika Sërpska dhe Serbia në “zonat e mbrojtura të OKB-së”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera