Lajme

Lëshohet urdhëresë për arrestimin dhe dërgimin në burg të deputetit Etem Arifi

Autori: Gazeta inFokus 16:18 | 04 August 2020

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e deputetit Etem Arifi për vuajtjen e dënimit me burg.

Lajmi për KosovaPress është konfirmuar nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Në një përgjigje me shkrime thuhet se i dënuari Etem Arifi e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin i është refuzuar ankesa si e pabazuar dhe është bërë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

-Advertisement-

“I dënuari E.A. është dashur që pas pranimit të vendimit të lajmërohet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që i njëjti nuk është lajmëruar, gjykata ka lëshuar urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e të njëjtit në vuajtje të dënimit me burg”, ka thënë Gashi.

Arifi është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, kanë përvetësuar rreth 26 mijë euro.

Përkundër dënimit të formës së prerë të 2019, deputeti Arifi arriti që të merrte pjesë në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore. Kjo kërkesë iu miratua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në seancën e parë të rëndësishme, më 25 mars, Arifi votoi për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Në të dytën, më 3 qershor, vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Votimi i deputetit Arifi nxiti debate të shumta për ligjshmërinë e votës së tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera