Fokus

Lëndë fetare apo edukim seksual, çfarë duhet të mësojnë nxënësit e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 19 May 2021

Nxënësit e shkollave të Kosovës duhet të mësojnë edukimin seksual apo lëndë fetare.

Këto janë dy çështje që janë ngritur në opinion, pas raportimin për sulm seksual ndaj një nxënëse të shkollës fillore në Prishtinë, shkruan Gazeta Infokus.

Nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e kanë quajtur nevojë përfshirjen e edukimit seksual në programet mësimore duke thënë se ndikon direkt në eliminimin e rasteve të ngacmimeve të llojit të tillë.

-Advertisement-

“Edukata seksuale për ne si aktiviste dhe organizata të shoqërisë civile është kruciale në eliminimin e fenomeneve ekzistuese në shoqërinë tonë siç është ngacmimi seksual dhe abuzimet tjera seksuale. Kjo për arsye se edukimi mbi seksualitetin, trupat tanë, integritetin fizik dhe të drejtat që ekzistojnë mbi sovranitetin e trupit, ka potencial emancipues për shoqërinë tonë. Marrja e informacioneve në mënyrë korrekte përmes kësaj lënde do t’i parandalonte fenomenet negative në shoqërinë tonë dhe do të ndikonte në eliminimin e problemeve që në thelb janë të natyrës gjinore”, thuhet në përgjigjen e kësaj qendre për Gazetën Infokus.

Por nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë një mendim ndryshe në lidhje me lëndën që duhet të futet në shkolla.

Ahmet Sadriu nga BIK, ka thënë për Gazetën Infokus se kërkesë e kamotshme e tyre është përfshirja e lëndëve fetare në institucione arsimore.

“Ne kemi bërë  kërkesa që të futet lënda fetare në shkolla, si institucion nuk jemi për Edukatën seksuale por fetare. Ka nevojë sepse është pjesë e besimit, identitetit dhe kulturës tonë. Ka nevojë që ky popull ta njeh bazat elementare të besimit të vet”, deklaroi ai.

Të njëjtin mendim për futjen e lëndëve fetare në shkolla e ka edhe kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi.

Madje sipas Kelmendit institucionet arsimore në vend, janë vonuar shumë sa i përket përfshirjes së kësaj lënde në shkollë.

“Dhuna dhe ngacmimet seksuale në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës si dhe shumë dukuri tjera negative, janë dëshmi se shkollat e Kosovës janë vonuar me përfshirjen e edukatës fetare në planprogramin mësimor. Përderisa vendet e BE-së në përgjithësi, Gjermania dhe Austria në veçanti, qysh para 1 shekulli kanë pjesë të programit mësimor edukatën fetare. Përmes edukimit fetar arrihet që nxënësit ta kenë një shkallë më të lartë të edukimit, arsimimit dhe vetëdijësimit. Përmes edukimit fetar nxënësi mëson mirësjelljen me prindërit, mësimdhënësit, shokët, shoqet dhe mbarë shoqërinë. Përmes edukimit fetar ndërtohet identiteti dhe karakteri më i mirë dhe më i fortë i nxënësit. Përmes edukimit fetar nxënësi edukohet dhe mësohet që duhet ta ketë gjithmonë frikën ndaj krijuesit, ZOTIT. Vetëm frika ndaj ZOTIT arrin që nxënësin dhe individin ta largoi nga sjelljet e këqia, morali i keq dhe veprat e shëmtuara”, u shpreh Kelmendi për Gazetën Infokus.

Sa i përket Edukimit seksual, Kelmendi e konsideron të panevojshëm.

“Sa i përket lëndës ” edukata seksuale”, ajo më së paku mund të quhet edukatë. Lënda seksuale nuk është e nevojshme për shkollat tona, nxënësit nuk kanë nevojë për edukim seksual, ngase deri në moshën 18 vjeçare me ligjet e Kosovës janë të ndaluara marrëdhëniet seksuale. Kur nxënësit arrijnë moshën 18 vjeçare, atëherë janë lirë dhe kanë shumë mundësi të mësojnë për çështje seksuale”, tha ai.

Në lidhje me këto çështje, njohësi i arsimit dhe drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, ka thënë për Gazetën Infokus se secila reformë e re në programet arsimore kërkon analizë më të gjerë.

“Kompetenca qytetare pjese e kornizës kurriulare parasheh kompetenca që po të mirë zbatoheshin do të duhej të nxisin për plan programe të të mësuarit që do të bënin të rinjtë më të njohur me këto tema. Çfarëdo reforme tjetër në kurrikulë kërkon debat më të gjerë dhe mbi të gjitha analizë të kapaciteteve për implementim”, ka thënë Qehaja.

Ndryshe gjatë vikendit është raportuar se një vajzë e shkollës fillore në Prishtinë, është sulmuar seksualisht nga disa të mitur./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera