Sport

Lejohen aktivitetet sportive, kërkohet që të bëhet kontroll te klubet

Autori: Gazeta inFokus 22:25 | 09 November 2020

Vendimi i marrë për vikendin e kaluar, e që ndaloi aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç aktiviteteve ndërkombëtare në vend, është shfuqizuar të hënën në mbledhjen e Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19, i themeluar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë është kthyer në fuqi vendimi i marrë në fillim të këtij muaji, që lejon zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive në hapësira të hapura dhe të mbyllura.

Por kontrolli mbi klubet do të jetë më rigoroz. Për ta parë situatën në terren, nëse klubet i respektojnë protokollet dhe udhëzimet vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuara në Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, do të ketë kontroll nga njësitet policore dhe inspektorët.

-Advertisement-

Kështu ka thënë të hënën për “Kohën” ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ibër Alaj.

Alaj ka theksuar se një gjë e tillë është kërkuar për të parë nëse klubet sportive i respektojnë në përpikëri masat e vendosura nga MSH-ja.

Në vend, së fundi shifra e të infektuarve me COVID-19 është shumë e lartë.

“Komiteti për vlerësimin e situatës epidemiologjike ka mbajtur mbledhje të rregullt ku ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, i cili kërkoi që policia, inspektorati të marrin masa në bazë të vendimeve, pra për të parë a ka zbatim të vendimeve. Edhe ministria mund të dërgojë inspektorë. Edhe sporti nuk do të ketë përjashtim. Do të shikohet se a po i përmbahen protokollit apo po kamuflohet. Sporti deri tash u është përmbajtur protokolleve, për çka edhe e vlerësojmë gatishmërinë e treguar”, ka thënë Alaj.

Alaj insiston se sporti deri tash u është përmbajtur të gjitha masave të vëna në luftë ndaj koronavirusit. Por ka theksuar se do të ketë masa ndëshkuese për të gjitha klubet apo federatat, nëse nuk i respektojnë me përpikëri masat e vëna nga organet drejtuese të vendit.

“Në lojë është duke u parë përmes kamerave që po u përmbahen procedurave. Edhe delegatët nuk po e lejojnë fillimin e ndeshjeve pa qenë gjithçka sipas protokolleve. Shpresojmë që të mos ketë në të ardhmen angazhim shtesë nga inspektorët. Megjithatë, do të ketë inspektim të kohëpaskohshëm, ku do të merren 2-3-4-5 apo 10 mostra për të parë nëse është gjithçka në rregull. Do të ketë inspektim të paparalajmëruar edhe në stërvitje. Nëse nuk ka respektim, do të ketë masa të reja për secilën federatë apo klub që i shkel masat e vëna. Nuk do të ketë aspak tolerancë”, ka thënë Alaj.

Në pikën 12 të vendimit të 1 nëntorit thuhet: “Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuara në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive, si dhe në hapësirat e hapura sportive”. Kjo pikë ishte pezulluar të premten, por pezullimi po del të ketë qenë vetëm për fundjavë.

KOHA ka mësuar se autoritetet janë pjesërisht të kënaqura me mbajtjen dhe respektimin e masave të vëna nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu, është mësuar se disa sportistë janë të infektuar me koronavirus, por që nuk janë bërë publikë nga klubet. Në asnjë prej klubeve nuk u bëjnë testime lojtarëve, ashtu siç ndodh në klubet evropiane. Klubet arsyetohen se nuk kanë kushte. Testimit i janë nënshtruar vetëm gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. Me gjithë pakënaqësinë, në klube dhe federata insistojnë se janë duke iu përmbajtur masave me aq kapacitet sa kanë.

Garat e para në nivel vendi pas heqjes së vendimit të vikendit të kaluar do të organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Është caktuar të zhvillohen ndeshjet e shtyra të xhiros së 12-të të Superligës, të martën e të mërkurën.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera