Lajme

Leje për Xhaminë “në vendin e gabuar”, si e mbylli sagën Komunë-BIK Arkitekti Rama

Autori: Gazeta inFokus 15:12 | 14 June 2022

Saga 10-vjeçare për Xhaminë Qendrore në Prishtinë mori fund dje. Pas gati një dekade, Komuna dha lejen ndërtimore duke ia plotësuar dëshirën Bashkësisë Islame të Kosovës. Leja u lëshua nga Komuna që e udhëheq kryetari Përparim Rama, i cili si kandidat për kryetar argumentonte se xhamia është planifikuar në vend të gabuar. Pas vendimit të Komunës, zyrtarët e BIK u shprehën të lumtur. Por, kur do të përfundojë ky objekt e sa do të kushtojë? Nga kush financohet? Cilat ishin kundërshtimet për lokacionin e stilin? Çfarë thoshte Përparim Rama për vendin ku do të ndërtohet, para se të bëhej kryetar komune e si reagoi dje? Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të gjithë zhurmës që është bërë këto vite për këtë projekt.

Pak kush e mban mend ditën kur është vënë gurthemeli i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, 8 tetorin e vitit 2012. Nga ajo ditë ka kaluar gati një dekadë. Njerëzit që vendosën tullat e para, përveç Myftiut të BIK’ut, s’kanë më asnjë pozitë.

Gurthemeli ishte vënë nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ish-kryeministri Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe kryemyftiu Naim Tërnava.

-Advertisement-

Për të filluar taman me ndërtim, Bashkësia Islame e Kosovës ka pritur dhjetë vjet. Pas kërkesave të vazhdueshme për t’u pajisur me leje ndërtimore, një e tillë i është lëshuar BIK’ut tek dje.

Lajmin e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga komuna e Prishtinës.

*Vendimi i Komunës së Prishtinës për lejen ndërtimore, i publikuar nga BIK

E në mungesë të një leje të tillë, te lokacioni s’ka diçka të vërejtshme, përveç disa punimeve të nëndheshme që janë kryer kohë pas kohe.

Por, tash pasi e kanë marrë lejen ndërtimore, Bashkësia Islame e Kosovës thotë se do të vazhdojnë me punimet.

Sekretari i BIK’ut, Ahmet Sadriu i ka thënë Gazetës Express se gjithçka është gati, derisa ka folur edhe për kushtin që u është dashur ta plotësojnë për ta marrë lejen ndërtimore.

Sipas tij, ndërtimi i xhamisë pritet të përfundojë brenda tri vitesh.

“Po, është e vërtetë, dje komuna e Prishtinës e ka lëshuar lejen finale për ndërtimin e xhamisë Qendrore në Prishtinë. Punimet veç kanë filluar në vitin 2020 kur na është lëshuar një leje e pjesëshme për hjekjen e dheut dhe vendosjen e pilotave. Për ta marr lejen përfundimtare, kusht ka qenë që të sigurohet hyrja nga pjesa e poshtme, me sigurimin e kyqjes nga rruga e poshtme, komuna ka vendosë për dhënje të lejes. Tani punët do të vazhdojnë me dinamikën e paraparë. Xhamia pritet të jetë e gatshme mrenda tri viteve.

* Fotografi e realizuar me 31.03.2022 nga Gazeta Express

Xhamia qendrore, kur të përfundojë do të jetë objekti i dytë me radhë fetar në qendër të qytetit pas katedrales Nënë Tereza, ndërtimin e së cilës e kishte kërkuar Presidenti Ibrahim Rugova.

Ky objekt i Kishës Katolike për vite të tëra i ka shërbyer si pretekst BIK’ut, që të kërkojë xhami në qendër “pasi myslimanët përbëjnë shumicën”.

Nga kush do të ndërtohet xhamia dhe sa do të kushtojë?

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, kostoja e këtij projekti sillet rreth 30 milionë euro. Ndërtimi i kësaj xhamia do të financohet nga Dijaneti i Turqisë.

Afati për përfundimin e këtij objekti fetar, nëse gjithçka shkon sipas planit, është tri vjet.

“Kjo do të varet nga dinamika e punimeve por afati optimal është tri vjet. Kostoja e projektit parashihet 25 deri 30 milionë euro. Ndërtimin e xhamisë do ta bëjë donatori Dijaneti i Turqisë”, kishin deklaruar nga BIK, vitë më parë.

* Fotografi e realizuar me 31.03.2022 nga Gazeta Express

Diyanet kishte thënë se xhamia do të bazohej në xhaminë e shekullit 16-të Selimiye në Edirne, në pjesën veriperëndimore të Turqisë. Me pak fjalë, xhamia e re e Prishtinës do t’i ngjajë shumë qindra xhamive të ndërtuara në Ballkan gjatë sundimit turk, vetëm se do të jetë shumë më e madhe.

Kjo xhami do të ketë 15 mijë metra katrorë dhe 4 minare.

Brenda objektit të xhamisë do të ketë bibliotekë, salla për takime dhe konferenca, dy banesa për nevojat e personelit të xhamisë, po ashtu do të ketë lokale dhe 300 vend parkime.

Zhurma që ishte bërë për lokacionin dhe projektin e xhamisë

Ndërtimit të kësaj xhamie, lokacioni i të cilës është në lagjen “Dardania” afër objektit të Telekomit të Kosovës, i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik.

Kishte edhe të atillë që kundërshtonin ndërtimin e një xhamie të re, pavarësisht lokacionit. Për këtë ishte nisur edhe një peticion.

Nismëtari i këtij peticioni kishte thënë se “Qytetarët e Prishtinës nuk kanë nevojë për xhami të reja as për kisha të reja.”

“Xhamitë dhe kishat nuk sjellin përparim të shoqërisë. Ato sjellin prapambetje dhe kthim në ideologji dhe praktika të territ të mesjetës.”, kishte shkruar ai, në përshkrimin e peticionit.

Protestë për xhaminë ishte mbajtur edhe në korrik të vitit 2020, kur BIK’ut i ishte dhënë leja për sigurimin e gropës së gërmimit. Disa ishin pro ndërtimit, e të tjerë e kundërshtonin.

Një nga protestuesit, Sadat Islami nga Stanovci, kishte thënë se para se të vinte në lokacionin ku kishin filluar disa punime të nëndheshme, ishte përshëndetur edhe me gruan e fëmijët, pasi është i gatshëm edhe të vdesë, në përkrahje të xhamisë.

“Sot kam ardhë qetu, përndryshe jam i përgatit me vdekë. Nuk kam ardhë me shit fall, po boll është boll, jam përshëndetë me grua edhe me fëmijë, kam ardhë për këtë punë. Unë rri këtu, u kry ky muhabet”, kishte thënë Islami.

*Pamje nga protesta në vitin 2020

Një tjetër që kishte dalë për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë, kishte thënë se Prishtina nuk ka nevojë për më shumë xhami.

Sipas tij, ndërtimi i kësaj xhamie do t’i hapte rrugë Serbisë për ta aktivizuar kishën ortodokse në oborrin e kampusit universitar.

“Xhamia po ndërtohet mbi baza politike, jo se ka nevojë Prishtina për xhami ma shumë. Kjo xhami do të jetë shkas që nesër apo pasnesër kisha ortodokse që ndodhet pranë Fakultetit Filologjik, do të aktivizohet. I bëj ftesë Bashkësisë Islame të Kosovës, kryetarit të Komunës së Prishtinës që ta ndalojnë, të mos e ndërtojnë sepse Serbia do ta aktivizojë kishën sllave”, kishte thënë ai.

*Pamje nga protesta në vitin 2020

Ndërkohë, përfaqësuesja e banorëve të lagjes “Dardania” kishte thënë se kjo lagje ka nevojë për jetë kulturore, ndërtim të çerdheve e parqeve, e jo për xhami.

“Dardania ka nevojë për amfiteatër, për kinema, ne kemi kërkuar që këtu të ndërtohet shtëpi e pleqve. Këtu nuk ka nevojë të ndërtohet xhami, kjo është xhami politike. Dardania ka nevojë për objekte kulturore, nëse ndërtohet xhamia, unë kam me propozu që Dardanisë t’i ndërrohet emri, e t’i bëhet Arabi apo Turqi. Unë kam me e tubu krejt Dardaninë, që të mos ndërtohet xhamia. Unë i kam thënë edhe Isa Mustafës kur ka qenë kryeministër, nuk duam xhami, duam shkolla e jetë kulturore. Dardania e ka vetëm një çerdhe”, kishte deklaruar ajo.

*Projekti i përzgjedhur për Xhaminë Qendrore

Debate të shumta kishte pasur edhe për projektin e xhamisë. Ishin paraqitur gjithsej 81 projekte. Shumë qytetarë dhe arkitektë kishin kërkuar që të përzgjidhej projekti i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid. Megjithatë, ishte përzgjedhur projekti i kompanisë turke UFV Mimarlik (Architecture), edhe pse për të kishte kundërshtime.

Plani i Hadid ishte ndërtimi i një xhamie moderne. Mbështetësit e këtij plani besonin se një xhami e tillë do ta kthente Prishtinën dhe këtë xhami në një atraksion për t’u vizituar nga turistët e huaj.

*Plani i arkitektes Zaha Hadid për Xhaminë Qendrore

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte treguar edhe për një takim që e kishte pasur me arkitekten, pasi ishte refuzuar projekti i saj.

Ahmeti kishte rrëfyer se si në kohën kur të gjithë kryetarët e komunave, ndër të cilat Prishtina ishte më e vogla, tentonin që të “përfitonin” ndonjë projekt nga arkitektja e madhe, ajo përmendi Prishtinën duke dashur të dinte se cili ishte kryetari i saj.

“Pas kësaj të gjithë kryetarët e komunave të tjera u kthyen për të më shikuar, në atë kuptimin se kush je ti që e refuzon Zaha Hadidin”, kishte treguar Ahmeti.

Ai kishte deklaruar se e kishte njoftuar edhe arkitekten se projektin nuk e ka refuzuar Komuna por Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët kanë dëshiruar një xhami më klasike, për besimtarët e tyre.

Çfarë thoshte dikur Përparim Rama për lokacionin e xhamisë e si reagoi dje pas lëshimit të lejes?

Për projektin e Xhamisë së Madhe ishte deklaruar para dy vitesh edhe Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, i cili me profesion është arkitekt.

Një një intervistë për Ndërtimi.info, Rama kishte thënë se vendi ku është vendosur ndërtimi i xhamisë është gabim.

“Pozita është e gabueshme, shumë e gabueshme faktikisht. Për shumë arsye. Së pari në aspektin urbanistik, vendosja është në një rrugë të frekuentuar dhe madhësia që është propozuar për xhami është tepër e madhe për vendin, densiteti i njerëzve që kishin me ardhë aty, kishim me shkaktu kaos për komunikacionin.

Kemi një ndeshje mes Postës, e fortë në aspektin arkitektonik, e madhe dhe ka prezencë. Tash me e vendos një xhami, ku posta e ka prezencën më të fortë, sadoqoftë që xhamia është më e madhe. Kjo është sikur me i fut dy sende në një vend, që po i zënë vendin edhe këtyre tjerave”, kishte thënë Rama.

Sipas tij, nga panika që s’kishin gjetur vend, ishte vendosur që xhamia ta ketë lokacionin aty.

“Gjëja kryesore është se nuk ka kurrfarë analize me historinë, kulturën me traditën, me atë se çka do të thotë feja islame për Prishtinën, ku janë ato indet e para, ku ka filluar, qysh lidhemi ne me të kaluarën, si mendojmë për të ardhmen. Dmth janë një numër i madh të elementeve që nuk janë të analizuara. Mendoj që vec dikush prej hezitimit apo panikës  e ka vendosur që të jetë aty”, ka thënë Rama.

*Takimi mes Myftiut Naim Tërnava dhe Kryetarit Përparim Rama

Rama doli me një reagim edhe dje pasi iu lëshua leja ndërtimore BIK’ut. Ai tha se ky proces më në fund është vënë në binarët e duhur.

I pari i Prishtinës tha se qytetarët e lagjeve “Dardania” e “Ulpiana” duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjiteshme.

“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur!  Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.

Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, shkroi Rama, në profilin e tij në Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera