Kulturë

Ledion Halitaj, fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Shkup

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 28 May 2021

Nëntëvjeçari nga Prishtina, Ledion Halitaj, ka shkëlqyer në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo-2021”, i mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ai ka zënë vendin e parë në dy kategori: në atë për të vegjlit (MINI) dhe në Kategorinë e parë, e dedikuar për grupmoshat deri në 11 vjet.

Halitaj ka luajtur katër vepra klasike, nga dy për secilën kategori, me ç’rast ka marrë pikët më të larta nga juria e përbërë nga profesionistë nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Kroacia, Kosova, Sllovenia, Austria, Bullgaria, Maqedonia dhe Serbia, shkruan Gazeta inFokus.

I suksesshëm në këtë festival është treguar edhe kitaristi tjetër nga Prishtina, Hef Emini. Ai ka fituar çmimin e dytë në kategorinë “Mini”.

-Advertisement-

Të dy, Halitaj dhe Emini, janë nxënës të profesorit Erhan Mujka, në Shkollën e Muzikës,  Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.

Ledioni ndjehet i lumtur si fituesi i dyfishtë në festival. Ai thotë se është përgatitur shumë për këtë garë.

“Kam ushtruar nga katër orë në ditë e nganjëherë edhe më tepër. Dhe gjatë gjithë kohës kam ndjekur këshillat e profesorit Erhan, të cilit edhe i jam shumë falënderues”, ka deklaruar Halitaj.

Për të nuk është hera e parë që triumfon në garat ndërkombëtare për kitarë.

Vitin e kaluar, ai ka fituar pesë çmime në festivale të ndryshme: në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë, ka fituar çmimin e parë të jurisë dhe çmimin e publikut në kategorinë “Junior”; në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo- 2020”, ka fituar çmimin e parë në kategorinë për të vegjlit dhe çmimin e dytë në Kategorinë e parë; ndërsa në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Pleven të Bullgarisë, ka fituar çmimin e dytë në kategorinë A, e cila përfshinë grup-moshën 9 deri 11 vjeç. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera