Lajme

LDK thotë se aktivistët e VV’së po manipulojnë vullnetin politik të diasporës

Autori: Gazeta inFokus 19:37 | 14 January 2021

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një shkrimi në facebook ka denoncuar aktivistët e Vetëvendosjes, ku sipas LDK’së, këta aktivist po manipulojnë vullnetin politik të diasporës.

Madje, sipas LDK’së, përmes këtyre veprimeve, aktivistët e VV’së po tentojnë që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare.

LDK cek se Vetëvendosje po propagandon duke thënë se Kosova është një vend pa perspektivë ku nuk jetohet dot. Veprimet e tilla, LDK’ja po i quan përçarje kombëtare.

-Advertisement-

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e shqetësuar nga akti i sotëm i aktivistëve të  Lëvizjes Vetëvendosje të cilët krijuan faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës sonë, madje duke u tentuar që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare.

Prej vitesh Vetëvendosje ka nisur manipulimin dhe helmimin e diasporës, nëpërmes propagandës majtiste, gjoja se Kosova është një vend i paperspektivë në të cilin nuk jetohet. Kjo propagandë po ndikon në përçarje kombëtare dhe po dekurajon bashkatdhetarët tanë për të kontribuar për familjet dhe shtetin e tyre. Siç duket kësaj partie nuk i kanë mjaftuar instrumentet e deritanishme, por ka kaluar edhe në hapin tjetër, zhvatjen financiare të diasporës sonë nëpërmjet faqeve elektronike jo ligjore.

LDK u bën thirrje të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe ushqejnë propagandën politike.

Lidhja Demokratike ju bën thirrje organeve të drejtësisë, që të bashkëpunojnë me homologët e tyre në Evropë, për të denoncuar, ndaluar dhe dënuar këta militantë politikë që po bëjnë keqpërdorimin e diasporës sonë.

LDK kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe mediat, që t’i evidentojnë këto shkelje dhe t’i adresojnë tek organet kompetente.

LDK i bën thirrje Vetëvendosjes që të sillet konform rregullave demokratike të organizimit të zgjedhjeve dhe të mos provojë ndryshimin e vullnetit të sovranit me mjete të paligjshme dhe praktika abuzive.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera