Lajme

LDK: S’ka asnjë mundësi koalicioni me PAN

Autori: Gazeta inFokus 16:45 | 14 June 2017

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.

Gjithashtu ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë për certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme.

Pas këtyre deklaratave të Ramush Haradinajt ka reaguar menjëherë Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate, transmeton Portali Infokusi.com

-Advertisement-

Më poshtë e gjeni të plotë reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës:

LDK: S’ka asnjë mundësi koalicioni me PAN

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, hedhin poshtë mundësinë e përfshirjes në një koalicion me PAN.

Deklarimet e z.Haradinaj se do të bisedojë për koalicion me LDK-në, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin e të gjitha strukturave të LDK-së, partnerëve të saj dhe elektoratit tonë, i cili më 11 qershor me votë plebishitare vendosi për ta dërguar PDK-në në opozitë.

Koalicioni përjashton çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet.

Insistimi i çdokujt për të bashkëpunuar me LDK-në, për t’ia zgjatur pushtetin kapësve të shtetit nuk do të vije në konsiderim asnjëherë.

z. Haradinaj thirret në bashkëpunimin me LDK-në në kohën e Presidentit Rugova, por ai bashkëpunim kishte një qëllim tjetër, dërgimin e PDK-së në opozitë, ndërsa tani Haradinaj kërkon bashkëpunim me LDK-në për ta mbajtur PDK-në në pushtet.

LDK i qëndron prapa vendimit të koalicionit të djathtë se nuk ulet për të biseduar për koalicion eventual me PDK-në dhe as me partnerët e saj dhe e konsideron të kotë dhe tendencioz çdo deklarim të çdokujt për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në ndonjë formulë qeverisëse me PDK-në.

LDK dhe partnerët e saj të koalicionit janë duke pritur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe veprimet do t’i ndërmarrin në përputhje me vullnetin e elektoratit të tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera