Lajme

LDK pa kandidatura publike për kreun e partisë, procesi – jo demokratik e me fushata të fshehta

Autori: Gazeta inFokus 22:14 | 18 July 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës së shpejti do të ketë edhe Kuvendin e saj qendror për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk shkuan edhe aq mirë, shkruan lajmi.net.

Në qytete të ndryshme pasi incidente, rrahje e madje edhe gjuajtje me karrige siç ishte rasti i fundit në Vushtrri. Por, incidente të tilla pati edhe në Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Viti dhe qytete të tjera nëpër nëndegë.

-Advertisement-

Por, ajo që po diskutohet më së tepërmi është çështja e kandidatëve për të parin e LDK-së, në këtë periudhë kur asnjë kandidaturë nuk është bërë publike.

Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani e Isa Mustafa janë disa nga emrat e përfolur për të marrë kreun e partisë edhe për një mandat. Por, pse nuk po bëhen publike kandidaturat?

Deputetja e kësaj partie, Besa Gaxherri për lajmi.net është shprehur se ky ka qenë vendim i Këshillit të Përgjithshëm dhe se kandidaturat do të shpallen në Kuvendin Qëndror.

“Ky vendim është marrë në fillim të procesit dhe po respektohet. Këshilli i Përgjithshëm kur jemi takuar dhe i kemi shpallur zgjedhjet, aty është marrë vendim që kandidaturat të shpallen në kuvend, pra aty kushdo që mendon do ta shpallë kandidaturën”, tha Gaxherri për lajmi.net.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj është shprehur se kjo gjë duhet të ndryshohet tek Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Problemi është që pa u organizu Kuvendi nuk mund të paraqiten kandidaturat, por kjo duhet të ndryshohet tek LDK-ja, edhe kandidatët që janë të interesuar të kandidojnë për kreun e LDK-së të bëjnë fushatë normale sikurse ndodh në partitë serioze”, tha Mushkolaj.

Ai më tutje është shprehur se kandidatët e përfolur për të marrë kreun e LDK-së po bëjnë fushatë të fshehtë.

“Përndryshe, kandidatët që deri tani janë përfolur, ata natyrisht bëjnë fushatë të fshehtë në kuptimin e takimeve me delegatë të komunave etj. Sepse secili përpiqet të sigurojë atë 50 për qind + 1 që e ka LDK-ja në mënyrë që të jetë kandidatura e vlefshme. LDK-ja në këtë Kuvend mund të bëjë propozime të ndryshimit të statutit që unë e shoh si të domosdoshme – sepse nuk ka nevojë që kandidatët të bëjnë fushatë të fshehtë, thjesht i shpallin kandidaturat publikisht, bëjnë fushatë dhe kur vjen kuvendi propozohen edhe zgjedhen ose jo”, tha Mushkolaj.

Më tutje ai ka shtuar se kjo iu lejon hapësirë keqkuptimeve dhe e dëmton elektoratin e vet partisë në këtë rast.

“Sigurisht, kjo iu len hapësirë hamendësimeve, keqkuptimeve kush po kandidon e kush jo, kjo është në dëm të elektoratit të LDK-së sepse në fund elektorati i jep votën për partinë dhe ka të drejtë të dijë se kush janë kandidatët dhe jo thjesht në kuvend ta kuptojnë këtë”, tha Mushkolaj.

Në fund, analisti Mushkolaj tha se nuk e konsideron demokratike këtë dhe sipas tij nevojitet një ndryshim i statutit të LDK-së që përmirëson këtë gjë.

“Natyrisht, nëse nuk janë kandidaturat publike, atëherë i krijon mundësinë grupeve të caktuara që të bëjnë betejë gjatë zgjedhjeve nëpër nëndegë e degë që në kuvendin qendror t’i kenë votat për një kandidat ose tjetër. Kjo mënyrë është jo e duhur dhe nuk e konsideroj demokratike sidomos jo në këtë situatën, nevojitet një ndryshim i statutit dhe të mos ketë asgjë të fshehtë”, tha Mushkolaj në fund.

Vlen të theksohet se në gusht Lidhja Demokratike e Kosovës do të bëhet me kryetarin e ri derisa qarkullojnë zëra se Isa Mustafa do të vazhdojë të mbajë kreun e partisë në mënyrë që partia t’i shpëtojë përçarjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera