Lajme

LDK kundër Hashim Thaçit dhe Vjosa Osmanit

Autori: Agnesa Çitaku 14:37 | 31 August 2018

U deklaruan kundër që Hashim Thaçi të udhëheq bisedimet me Serbinë. Por, nuk po e përkrahin as bashkëpartiaken e tyre, Vjosa Osmani për protestë masive kundër presidentit pikërisht më shtatë shtator kur ai do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka ripërsëritur, për Gazetën inFokus, qëndrimin e partisë së tij duke e quajtur thirrjen e Osmanit disponim individual.

“Nuk ka asnjë ndryshim nga deklarata e fundit e Haki Rugovës. LDK nuk e ka diskutuar çështjen e protestës, ato janë thirrje individuale që nganjëherë mund të disponohen njerëzit për gjëra të tilla por qëndrimi i LDK-së nuk është i njëjte me të Osmanit”, ka thënë Veliu.

-Advertisement-

Ndërsa rreth qëndrimit për dialog Veliu ka thënë se vazhdojnë të mendojnë njëjtë.

“Edhe për dialog nuk kemi ndryshuar qëndrim”, ka thënë shkurt ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës rreth një muaj më parë përmes një komunikate për medie kishte bërë të ditur se presidenti Hashim Thaçi nuk mund ta përfaqësoj Kosovën në dialog pasi nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e përsërit edhe një herë se Presidenti nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sepse ai nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.”, thuhej në komunikatën e LDK-së

LDK gjithashtu përmes kësaj komunikatën kishe kërkuar edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

“Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cënuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij. Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cenuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës.”, thuhej në komunikatën e LDK-së.

Se Thaçi do të shkelë rezolutën me përfaqësimin e Kosovës në dialog mendon edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo madje për të kundërshtuar këtë ka thirru edhe një protestë.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por me gjasë e pamjaftueshme, për të ndalur aventurat e rrezikshme të Thaçit në dëm të sovranitetit të vendit. Thaçi mbanë titullin e kampionit për shkelje të Rezolutave të Kuvendit”, thotë Osmani në një postim në Facebook.

Osmani më 7 shtator pikërisht kur Thaçi do të udhëtoj për Bruksle ka ftuar që të organizohet një protestë masive paqësore.

“Prandaj, më 7 shtator, kur Thaçi udhëton për Bruksel për të bërë edhe një hap tutje drejt ndarjes së Kosovës, ne qytetarët e Kosovës, do të duhej të protestonim paqësisht, por masovikisht, për t’i dëshmuar atij dhe kujtdo tjetër që Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar Osmani.

Presidenti Thaçi, më 7 shtator do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me homologun e tij serb, Vuçiq. (Agnesa Çitaku)/Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera