Lajme

LDK jep detaje për takimin me Albin Kurtin

Autori: Gazeta inFokus 12:28 | 22 May 2019

Kreu i  LDK-së, Isa Mustafa, është takuar sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, ku janë dakorduar që në ditët në vazhdim të fillojnë punën për përgatitjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë së koalicionit PAN.

Sipas Mustafës, situata në Kosovë dita e ditës vetëm po rëndohet, duke përmendur këtu korrupsionin e lartë, pa punësinë, nepotizmin e  ikjen e të rinjve nga Kosova.

Sipas tyre Kosovës i duhet një qeveri e re e cila është e përgjegjshme për veprimet që bënë.

-Advertisement-

“Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas tyre institucionet e dala nga zgjedhje e 2017-ës, nuk janë duke e bërë punën e tyre mirë, dhe si rrjedhoje duhet rrëzuar nga pushteti.

“LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend”, vazhdon njoftimi.

Ndërkohë kanë kërkuar angazhim të të gjithë anëtarësisë së LDK’së që të angazhohen për zgjedhjet e parakohshme në vend.

“Rrjedhimisht, LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”, thuhet tutje në komunikatë.

Partia e Mustafës kanë paralajmëruar veprime në ditët në vazhdim, për organizimin e mocionit.

“z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit”, përfundon komunikata.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera