Lajme

LDK-ja dhe LVV-ja nuk i binden Thaçit për KQZ-në

Autori: Gazeta inFokus 08:09 | 25 December 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë vendosur që të mos i binden presidentit Hashim Thaçi në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto dy parti kanë dërguar nga dy emra për përfaqësues në KQZ e jo nga një, sa u ka kërkuar Thaçi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Më 14 dhjetor të këtij viti përmes një kërkese me shkrim Zyra Ligjore e presidentit Thaçi ka kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare (LDK, LVV, PDK, PSD, AAK dhe Nisma) që të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mirëpo këtë gjë e kanë kundërshtuar ashpër dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat thonë që u takojnë dy anëtarë në KQZ dhe jo vetëm një.

Kësisoj LDK-ja dhe Vetëvendosja tashmë i kanë dërguar nga dy emra për përfaqësues të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ato shprehen të bindura se në bazë të Ligjit për Zgjedhje, si dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili saktëson se çfarë është grupi parlamentar, atyre u takojnë nga dy përfaqësues e jo një, siç ka kërkuar presidenti Thaçi. Të dyja këto parti kanë paralajmëruar se nëse presidenti nuk do t’ua japë atyre nga dy vende në KQZ, atëherë ata do të përdorin çfarëdo forme ligjore me qëllim që të ndalohet veprimi “antikushtetues” i presidentit Thaçi.

-Advertisement-

Në anën tjetër, njohësit e proceseve zgjedhore theksojnë se me këtë veprim presidenti Thaçi po shkel Kushtetutën. Ata thonë që ftesa e presidentit që të emërojnë nga një anëtar në KQZ për tri subjektet tjera, AAK, Nisma e PSD, është një lloj pazari që po bëhet me institucionin e KQZ-së dhe tendencë e pastër për ta kapur këtë institucion, duke i dëmtuar dy partitë opozitare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera