Lajme

LDK e PSHDK bashkë në zgjedhje, Abdixhiku thotë se dy partitë i bashkon Rugova e Mark Krasniqi

Autori: Gazeta inFokus 14:38 | 03 November 2024

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë sot pjesë në Kuvendin e XI zgjedhor të Partisë Shqiptare Demokristiane, duke njoftuar kështu edhe për lidhjen e bashkëpunimit mes dy partive për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Abdixhiku ka folur për bashkëpunimin e ngushtë që kanë dy subjektet politike dhe ka shtuar se udhërrëfimi i përbashkët gjendet në vizionet e presidentit Rugova dhe akademikut Mark Krasniqi.

Abdixhiku thotë se ky udhërrëfim ka të bëjë me një Kosovë të pavarur dhe sovrane, të anëtarësuar në NATO dhe BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-në.

-Advertisement-

“Këtë të diel, qëndrova në Gjakovë, mes demokristianëve të PSHDK-së, në Kuvendin e tyre të XI zgjedhor.

I urova delegatët për punimet e Kuvendit; dhe ritheksova e rikujtova bashkëpunimin e ngushtë që subjektet tona kanë patur në tre dekada e gjysmë veprim. Në vizionet e Presidentit Rugova e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Akademik Mark Krasniqit, gjejmë dhe udhërrëfimin tonë të ardhshëm; të një Kosove të pavarur e sovrane, të anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PSHDK, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të jetë pjesë e listës së LDK-së, duke i dhënë të djathtës sonë gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera