Lajme

LDK e LVV akuzojnë njëra-tjetrën rreth testimeve për COVID-19

Autori: Gazeta inFokus 12:25 | 14 July 2020

Akuza dhe kundër akuza ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe VV-së për menaxhimin e pandemisë në vend pati edhe në seancën e sotme.

Deputetja LDK-së, Doruntinë Maloku duke kërkuar unitet për luftimin e pandemisë, tha se përçarja rreth kësaj teme ka bërë që qytetarët mos ta marrin seriozisht rrezikun që përbën ky virus dhe si pasojë vendi mund të shkojë drejt katastrofës.

Ajo tha se në fillim të pandemisë, ish-Qeveria Kurti testoi për Covid-19 vetëm zyrtarë qeveritarë nga VV-ja, derisa i harroi qytetarët.

-Advertisement-

“Qytetarët duhet ta dinë se personat e parë me funksion të lartë publik që kanë qenë të privilegjuar, e ritheksoi të privilegjuar, për t’u testuar kanë qenë zyrtarët e lartë të VV-së. Për pikë të qejfit kabineti i ish-kryeministrit Kurti, të gjithë ministrat e VV-së përfshirë edhe zyrtarë jo qeveritarë në zyrat e qeverisë, janë testuar me të filluar pandemia në kohën kur shumica e qytetarëve tanë as informatën më të vogël për teste nuk e kanë pasur”, theksoi Maloku.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Maloku, duke e quajtur hipokrizi, derisa tha se në qeverisjen aktuale anëtarë të LDK-së janë testuar me gjithë familjen pa pasur simptoma.

“Në lidhje me atë që u tha prej koleges edhe që bëri thirrje që të bëhemi bashkë t’i lëmë dallimet anash për shkak se jemi në situatë pandemie, mua më duhet t’i referohem prapë fjalës së djeshme hipokrizi. Për shkak se është pikërisht Grupi Parlamentar i LDK-së bashkë me koalicionin qeverisës të cilët nuk e votuan Ligjin anti-Covid-19 kur ishte këtu. Prandaj, duhet ta them edhe një herë se ky është definicioni i hipokrizisë… Sa i përket testimeve këtu përveç deputetëve kemi pasur edhe anëtarë të tjerë të LDK-së të cilët janë testuar me gjithë familjen pa pasur simptoma. Kurse ne kemi qytetarë që tash edhe kur kanë simptoma ju thonë ‘shkoni te shtëpia e vetëizolohuni se s’kemi teste dhe s’mund t’iu testojmë’”, tha ai.

Kundër replikë ndaj deklaratës pati deputetja nga radhët e LDK-së, Maloku, duke thënë se nuk ka hipokrizi më të madhe se në mes të pandemisë të bëhen teste për protesta dhe të njëjtit t’i përshëndesë nga ballkoni i qeverisë ish-kryeministri Kurti.

“Kur të flasim për hipokrizi, nuk ka hipokrizi më të madhe sesa më tregu sa shumë i doni qytetarët e neve na bien ndërmend që s’janë bërë as dy muaj që ju e keni filluar hapjen masave në raport me përgatitjet e juaja për protestë. Kur flasim për hipokrizi nuk ka hipokrizi më të madhe se në mes të pandemisë kur krejt bota vuante prej pandemisë ju i keni ftuar qytetarët me dalë në shesh edhe me bërë teste për protestë që në fakt kanë qenë teste me jetën tyre. Edhe ne nuk e harrojmë përshëndetjen nga ballkoni të ish- kryeministrit Kurti atyre të testuarve që ua keni bërë ju. Kaq sa mendoni ju për popullin dhe sa mendojmë ne”, tha ajo.

Debati për pandeminë po vazhdon ende në Kuvendin e Kosovës.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera