Lajme

Latifi: Marrëveshja për targat, premtim i kotë i Serbisë fati i të cilës dihet

Autori: Gazeta inFokus 16:16 | 24 November 2022

Marrëveshjen e djeshme për targat, profesori universitar dhe filozofi Blerim Latifi e sheh vetëm në arritjen e qëllimit të Perëndimit për shmangur rrezikun e shpërthimit të një vatre të konfliktit të armatosur në Evropë.

Për Latifin pala kosovare morri vetëm se një “premtim të kotë” se s’do të ketë targa tjera “KM”, premtim ky që për profesorin është fakt i kryer se çfarë fati do të ketë si të gjitha premtimet serbe.

“Përfundimisht kjo marrëveshje është dështim i qeverisë së Kosovës”, shkroi ai.

-Advertisement-

Dhe krejt çfarë njeriu mund të përfitojë nga një dështim, sipas Latifit, është të marrë leksionet e duhura për të mos e përsëritur atë në të ardhmen.

Filozofi Latifi shpjegon edhe më tej fjalinë e shumëpërdorur, sidomos nga mbështetësit e qeverisë, për “rikthimin e dinjitetit”.

“Është ushtria e fortë dhe ekonomia e zhvilluar. Ushtria e fortë për të garantuar rendin kushtetues në çdo pjesë të territorit dhe ekonomia e zhvilluar që mundëson mirëqenie të qëndrueshme për popullin. Aktualisht ne nuk e kemi asnjërën prej tyre, prandaj është e udhës që të jemi të kursyer në përdorimin e fjalëve të mëdha, sepse nuk  i ndihmojmë praktikisht përmirësimit të gjendjes”.

“Leksionin tjetër të rëndësishëm duhet të marrë vetë kryeministri Kurti, e ky është leksioni se politika nuk është marshim triumfal i vullnetit personal, por një negociim tepër i bezdisshëm, kokëçarës, i interesave dhe forcave që janë në lojën e saj”.

“Për të dalë mirë në këtë lojë, duhen nerva të forta, durim tepër i madh, ekipe me njerëz të ditur dhe mbyllje e veshëve ndaj zhurmës që bëjnë militantët partiakë në pazarin e thashethemnajës të rrjeteve sociale. Sepse, siç na mëson Hegeli, të jesh i pandikuar nga thashethemnaja e opinionit publik është kushti i parë formal për të arritur ndonjë gjë të rëndësishme”, shkroi mes tjerash ai.

Shkrimi i plotë i Blerim Latifit:

DY SHËNIME

I PARI

Duke i futur në kontrollin e tij të plotë serbët e Kosovës, Beogradi ka siguruar një nivel të lartë dhe tejet efektiv të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës.

Në termat e politikës ndërkombëtare kjo quhet “ndërhyrje e paligjshme e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër”.

Kjo në rastin tonë bëhet edhe më shqetësuese për faktin se shtetet të cilat e kanë mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës, nuk po e shikojnë se diçka të papranueshme këtë ndërhyrje të vazhdueshme të Serbisë në rendin e brendshëm kushtetues të Kosovës. Askush prej tyre nuk po i thotë Serbisë se duhet t’i japë fund kësaj ndërhyrjeje, e cila, në fund të fundit, e ka veç një qëllim: me komprometu pavarësinë e Kosovës.

Si mund të kuptohet kjo?

Me gjasë ka një konsensus ende të pashpallur të shteteve perëndimore që veriut të Kosovës t’i jepet një status i veçantë politik brenda shtetit të Kosovës.

Po e quajnë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, por të gjithë e kanë të qartë se prapa këtij termi në dukje të parrezikshëm, fshihet diçka më shumë, një lloj autonomie serbe në veriun e Kosovës.

Ngërçi shumëvjeçar në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin e ka shkakun pikërisht në mospajtimin rreth kësaj çështjeje. Askush në Prishtinë nuk ka guximin që të vendosë vulën e shtetit të Kosovës mbi një dokument që përmban autonominë për serbët e Kosovës. Secili ka frikën se me këtë do të përfundojë në klubin e tradhtarëve të historisë kombëtare. Shkaku i kësaj frike kanë rënë tri qeveri. Mund të bjerë edhe e katërta, edhe e pesta.

I DYTI

Kur jemi të marrëveshja e mbrëmshme, kush çka fitoi prej saj?

Perëndimi e arriti qëllimin e tij për të shmangur rrezikun e shpërthimit të vatre të re konflikti të armatosur në Evropë, në kohën e tronditjes së madhe nga lufta në Ukrainë.

Serbët arritën ta ruajnë status quonë e deritanishme të qarkullimit me targat e kohës së Millosheviqit.

Ne fituam një premtim të kotë se nuk do të lëshohen më targa të tilla nga Serbia. Dhe kur kemi të bëjmë me premtimet e Serbisë, dihet se cili do të jetë fati i tyre.

Përfundimisht kjo marrëveshje është dështim i qeverisë së Kosovës.

Dhe krejt çfarë njeriu mund të përfitojë nga një dështim, është të marrë leksionet e duhura për të mos e përsëritur atë në të ardhmen.

Është dëshirë e të gjithëve neve që t’i japim fund poshtërimit të shtetit të Kosovës në veri dhe kjo nga shumë kush quhet “rikthim i dinjitetit”.

Por çka është dinjiteti i një shteti?

Është ushtria e fortë dhe ekonomia e zhvilluar. Ushtria e fortë për të garantuar rendin kushtetues në çdo pjesë të territorit dhe ekonomia e zhvilluar që mundëson mirëqenie të qëndrueshme për popullin. Aktualisht ne nuk e kemi asnjërën prej tyre, prandaj është e udhës që të jemi të kursyer në përdorimin e fjalëve të mëdha, sepse nuk  i ndihmojmë praktikisht përmirësimit të gjendjes.

Leksionin tjetër të rëndësishëm duhet të marrë vetë kryeministri Kurti, e ky është leksioni se politika nuk është marshim triumfal i vullnetit personal, por një negociim tepër i bezdisshëm, kokëçarës, i interesave dhe forcave që janë në lojën e saj.

Për të dalë mirë në këtë lojë, duhen nerva të forta, durim tepër i madh, ekipe me njerëz të ditur dhe mbyllje e veshëve ndaj zhurmës që bëjnë militantët partiakë në pazarin e thashethemnajës të rrjeteve sociale. Sepse, siç na mëson Hegeli, të jesh i pandikuar nga thashethemnaja e opinionit publik është kushti i parë formal për të arritur ndonjë gjë të rëndësishme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera