Fokus

Lajmi i fundit: Partitë politike mund t’i shpëtojnë gjobave për tubimet gjatë fushatës

Autori: H. Smajli 15:17 | 22 February 2021

Partitë politike në vend mund ti shpëtojnë gjobave të cilat i morën për shkelje të masave antiCOVID gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta inFokus.

Kjo sepse Gjykata mund ti hedhë poshtë ato, nëse e vetmja provë që ka Inspektorati janë fotografitë të cilat vetë partitë i hodhën në faqet e tyre në rrjetet sociale.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën inFokus, drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj i cili ka thënë se ekziston rreziku që Gjykata të hedhë poshtë këto lëndë.

-Advertisement-

“Gjykata Vepron në bazë të provave dhe në bazë të dëshmive. Institucioni i vetëm që vlerëson se a janë shkel apo jo masat gjatë fushatës është Inspektorati Shëndetësor, që do të thotë se Inspektorati është dashtë të dalë në vend të ngjarjes por jo në bazë të pamjeve, kështu që shancat janë shumë shumë të mëdha që Gjykata ti hedhë poshtë pasi Inspektorati duhet të dalë në vendin e ngjarjes. Inspektorati nuk mund të kryejë punën prej zyrës por duhet të dalë në terren”, ka thënë njohësi i ligjit.

Sipas Miftarajt shteti duhet të ketë rol aktiv dhe jo të kryejë punën nga zyrat, shkruan Gazeta inFokus.

“Fushatat kanë qenë publike dhe Inspektorati e ka pasë mundësinë të kryejë punën në terren. Shteti duhet të ketë rol aktiv e jo të punojë prej zyrës, valla kom ni që e ka rreh dikush dikë dhe prej facebook-ut me kry punën”, ka thënë ai.

Gazeta inFokus ka kërkuar të dijë edhe shumën totale të gjobave që janë bërë për shkelje të masave mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë pasi sipas tyre ende nuk kanë marrë të gjitha raportet nga Inspektoratet Komunale.

Ndërsa ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me këto gjoba.

Mirëpo në lajmërimet dhe në njoftimet për këto gjoba zakonisht, Inspektorati e sidomos ai i komunës së Prishtinës, si dëshmi i publikonte fotografitë e hedhura në faqet e përfaqësuesve të partive politike e që sipas njohësit të ligjit, Ehat Miftaraj, Gjykata ka pikërisht këtë arsye që ti hedhë poshtë gjobat.

Kujtojmë se tubimet gjatë fushatës ku partitë politike mblidhnin numër të madh të qytetarëve në vende të mbyllura por edhe të hapura,  nuk ishin të pakta e për këtë u gjobitën disa herë në vlera prej 2 mijë euro, mirëpo publike këto gjoba i bëri vetëm Inspektorati i Komunës së Prishtinës./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera