Lajme

Lajmi i fundit: Në ora 18.00 mbledhje urgjente e KQZ-së, diskutohet për zgjedhjet në Veri

Autori: Gazeta inFokus 16:55 | 09 December 2022

Në ora 18.00 do të zhvillohet mbledhje urgjente e KQZ-së, kësaj radhe pa prani të mediave, kanë deklaruar disa burime për Gazetën Blic. Në këtë takim me gjasë do të diskutohet për zgjedhjet Komunat veriore, të cilat është paraparë të zhvillohen më 18 dhjetor.Siç dihet, KQZ nuk ka kompetenca për të shtyrë, zgjedhjet, pasi që kjo kompetencë i takon Presidentes, Vjosa Osmani.

Më herët është spekuluar se Osmani tashmë ka vendosur që të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ajo e kishte caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje, por pas incidenteve të shumta, plagosjes së një pjesëtari të Policisë, shumë shpërthimeve dhe kërkesës së ambasadorëve, Osmani e ka shtyrë datën e zgjedhjeve, kanë thënë disa burime, duke theksuar se pritet që sot ta publikojë vendimin ose më së largu në fillim të javës.

-Advertisement-

Siç dihet, shtyrja e zgjedhjeve në veri është kërkuar edhe nga zyrtarët më të lartë amerikanë. Të enjten, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, qartësoi Chollet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera