Lajme

Lajmi i fundit: Kaq shqiptarë po kërkojnë ndihmë të largohen nga Ukraina

Autori: Gazeta inFokus 14:42 | 24 February 2022

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, pasi dënoi agresionin e Rusisë në Ukrainë foli edhe për situatën e qytetarëve shqiptarë që ndodhen atje.

Xhaçka tha se që prej momentit që Ministria e Jashtme ka bërë thirrje për largim nga Ukraina nuk ka kërkuar asnjë person asistencë për largim. Kërkesat e vetme kanë ardhur ditën e sotme, ku Xhaçka tha se 3 qytetarë shqiptarë kanë kërkuar ndihmë sepse fluturimet e tyre të avionit ishin anuluar.

Ministrja bëri me dije se këtyre personave u është sugjeruar që të kalojnë në rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë ku ambasadat e Shqipërisë janë të gatshme t’i presin.

-Advertisement-

“Po e mbyll ndërhyrjen time, me vëmendjen që i kemi kushtuar qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Ukrainë, ndonëse në numër shumë të vogël dhe me familje të krijuara atje prej vitesh. Që para 10 ditësh, MEPJ ka bërë thirrje për largim nga Ukraina, duke dhënë numrat e kontaktit të vënë në dispozicion. Që prej atëherë, Ambasada jonë në Varshavë dhe Drejtoria Konsullore në MEPJ kanë qenë në kontakt me këta qytetarë shqiptarë. Deri më sot ata nuk kanë kërkuar asistencë për largim nga Ukraina. Vetëm sot, 3 qytetarë kanë kërkuar asistencë, pasi kanë prerë biletë avioni dhe fluturimet janë anuluar. U kemi sugjeruar kalimin me rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë dhe ambasadat tona në këto dy vende janë të gatshme për t’i pritur dhe asistuar”, tha Xhaçka.

Ministrja tha se aktualisht janë në Ukrainë edhe 5 qytetarë shqiptarë, si pjesë e Misionit të OSBE-së atje.

“Sa i përket shtetasve shqiptarë në Misionin e OSBE në Ukrainë: prej 11 të punësuarve (të sekonduarve) në këtë Mision, 6 janë larguar dhe 5 janë në Ukrainë. Jemi në kontakt me OSBE për zbatimin e Planit të Evakuimit dhe kemi kontakt të vazhdueshëm për secilin prej të sekonduarve”./tvklan

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera