Lajme

Lajçak: Serbia e ka tërhequr letrën nga BE-ja ku theksohej se nuk do t’i zbatonte disa nene të marrëveshjeve

Autori: Gazeta inFokus 12:03 | 06 September 2024

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se Serbia ka tërhequr letrën nga Brukseli të deponuar nga ish-kryeministrja Ana Bërnbaiq, ku theksohet me shkrim se Serbia nuk zbaton disa nene të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Lajçak pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi të premten, nënvizoi nevojën e zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Ai tha se palët janë pajtuar për takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo nuk dha një datë se kur do të ndodhë.

Ai përsëriti se ura kryesore mbi lumin Ibër duhet të hapet, mirëpo në momentin e duhur dhe në koordinim me aleatët.

-Advertisement-

“Letra është tërhequr. Pra, ka deklarata aty-këtu që nuk janë të dobishme. Por, marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj, dhe për më tepër, marrëveshja është bërë edhe pjesë e rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe rrugës së Serbisë drejt BE. Kështu që unë do të thoja se vlen dy herë, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe Serbisë dhe BE-së”, tha ai.

Emisari Lajçak tha se Bislimin kanë diskutuar agjendën e takimit të radhës dhe progresin që mund të arrihet në atë takim.

Ai tha se asnjëra palë nuk është tërhequr nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit dhe se e njëjta është e vlefshme dhe obligueshëm për Kosovën dhe Serbinë.

“Çështje shumë e rëndësishme është se si do të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe ne patëm një diskutim shumë të detajuar me z. Bislimi për këtë. Ka edhe një sërë çështjesh aktuale që do t’i analizojmë, do të diskutojmë se sa progres është bërë nga takimi i fundit i kryenegociatorëve. Diskutuam edhe për çështjen e urës, urës së Mitrovicës dhe hapjes së saj për transport. Qëndrimi i Bashkimit Evropian mendoj se është i njohur, por do ta përsëris; Ura duhet të hapet, por kjo hapje duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne po diskutonim detajet e këtij procesi”, deklaroi Lajçak.

Megjithatë, ai nuk dha një datë për takimin Bislimi-Petkoviq.

“Ne ramë dakord(për takim), por nuk do ta shpall atë akoma”, tha Lajçak.

Sa i përket paralajmërimeve të serbëve për bllokim të pikave kufitare me Kosovën, Lajçak tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh pasi do të pengonte lirinë e lëvizjes.

“Besoj se nuk duhet të ketë bllokim dhe shpresoj të mos ketë bllokim sepse kjo po ndikon negativisht në lirinë e lëvizjes, në jetën e njerëzve”, përfundoi Lajçak.

Në letrën e dërguar vitin e kaluar Bashkimit Evropian nga ish kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq theksohet se Serbia nuk do të zbatojë disa nene të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përmendet njohja e ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mospengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare./E.Zeqiri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera