Lajme

Laboratori qindra mijëra euro në veri, arrestohet i dyshuari

Autori: Gazeta inFokus 16:35 | 06 September 2022

Tridhjetë e nëntë vjeçari G.J., është arrestuar mëngjesin e sotëm në Mitrovicë nën dyshimin se është i përfshirë në prodhimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Branislav Radoviq.

I dyshuari ishte në arrati që nga 1 korriku, pas kontrollit në një lokacion në Leshko të komunës së Leposaviqit, ku u zbulua një laborator për prodhimin e kanabisit.

“Pas disa javëve të grumbullimit të informatave dhe kërkimit të të dyshuarit i cili ishte në arrati, ai është arrestuar herët në mëngjes. Që në fillim ka qenë në arrati dhe nuk ka qenë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Për rastin është njoftuar prokurorja e shtetit, e cila ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh”, tha Radoviq.

-Advertisement-

Një laborator i pajisur i gatshëm për përpunimin e kanabisit është zbuluar dhe asgjësuar nga Policia e Kosovës më 1 korrik në Leshko të Komunës së Leposaviqit. Vlera e pajisjeve të sekuestruara është rreth 250 mijë euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera