Lajme

Ky person mund të zgjedhet kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës

Autori: Gazeta inFokus 15:36 | 12 April 2021

Teksa po afrohen zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti, janë duke qarkulluar edhe emrat potencialë nga partitë politike, për kandidaturat e tyre në disa prej komunave të Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vitin e kaluar humbi bastionin më të madh të saj – Podujevën.

LDK kishte qeverisur për 20 vite rresht me llapjanët, teksa ishte mposhtur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në kohë pandemie, Qeveria e Kosovës bleu 36 vetura zyrtare

Agim Veliu, kishte qeverisur Podujevën për pesë mandate rresht, teksa ishte vetë shkaktari që kjo komunë shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo pasi që Veliu në shkurtin e vitit të kaluar, la pozitën si kryetar i Podujevës, për të marrë drejtimin e ministrisë së Punëve të Brendshme, nën qeverinë e udhëhequr nga koalicioni LVV-LDK.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme, LDK në Podujevë, kishte garuar me Nexhmi Rudarin, teksa ky i fundit humbi garën pa balotazh nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo kishte shtyrë që të bëhen ndryshime edhe në qendër të LDK-së në Prishtinë.

Me ardhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, bëri ndryshime në kryesinë qendrore të kësaj partie, të përfaqësuar nga dega e Podujevës.

Aty tashmë nuk gjenden Agim Veliu, ani pse ky i fundit udhëheq me degën e Podujevës.

Në vend të tij, Abdixhiku, emëroi Ekrem Hysenin, ish-deputet i kësaj partie në mandatin e kaluar të Kuvendit.

Hyseni, i cili është mjek me profesion, po përmendet edhe si emri potencial, për kandidat të LDK-së për kryetar të Podujevës.

Rreth kandidaturës së tij, zërat janë shtuar edhe për faktin se Ekrem Hyseni, në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit, kishte dalur më i votuari nga LDK në Llap.

Madje, ai kishte arritur të merr vota më shumë se Agim Veliu në Podujevë.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, javë më parë, pasi mori drejtimin e partisë, theksoi se kandidaturat për zgjedhjet lokale, do të bëhen të ditura para verës së këtij viti.

Abdixhiku pati thënë se është i interesuar që sa më herët të dihet se cilët janë kandidatët për komuna, në mënyrë që ata të kenë kohë për t’u përgatitur për garën e tetorit.

Të tjera